Konfilkt në Tiranë/ Punonjësi i Policisë dhe vëllai i tij dhunohen nga disa persona!

Një konflikt mësohet se ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së shtunës në Tiranë, ku disa persona kanë dhunuar një punonjës policie dhe vëllain e tij. Në njoftimin zyrtar të Policisë, thuhet se gjatë konfliktit, policit i ka rënë arma e shërbimit në tokë, e cila është gjetur më pas në vendngjarje, ndërsa raportohet se ngjarja ka ndodhur në rrugën ‘Besim Alla’ në kryeqytet.
Sipas "Abc News", shkak i sherrit është bërë një borxh, ndërsa punonjësi i policisë dhe vëllai i tij kanë qenë duke lëvizur në zonën ku ndodhi konflikti, kur autorët e ngjarjes i kanë parë dhe i kanë ndaluar. Këta të fundit i kanë kërkuar një shumë parash vëllait të efektivit, pasi pretendonin se borxhi dhe konflikti mes tyre ishte i vjetër, ndërsa në sherr e sipër, polici dhe vëllai janë goditur me sende të forta si shkopinj e gurë.
Efektivi, që në atë moment ishte jashtë shërbimit dhe vëllai i tij u dëmtuan nga sendet e forta, teksa sipas Policisë ata janë dërguar në spital për shkak të dëmtimeve të marra, por ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe arrestimin e autorëve.
/News31