NEWS 13 Mars 2023, 15:14

Atentati në Don Bosko/ Gjenden pistat e para të të dyshuarve

Atentati në Don Bosko/ Gjenden pistat e para të të dyshuarve

Një makinë “BMV” që dyshohet të jetë e autorëve të atentatit në Don Bosko është gjetur e djegur këtë mëngjes në afërsi të Bubqit.

Top Channel raporton se janë gjetur dhe tre armë zjarri kallashnikov, me të cilat dyshohet se u qëllua mbrëmë me breshëri plumbash drejt një lokali në Don Bosko, duke lënë të vrarë banakieren dhe plagosur pesë të tjerë.

“Rreth orës 08:00, në vendin e quajtur “Ura e Sulë Meres”, në territorin e fshatit Likmetaj, shërbimet e Policisë të Stacionit të Policisë Manzë, duke ushtruar kontroll në territor, për kapjen e autorëve të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, në rrugën “Ananstas Shundi”, Don Bosko, Tiranë, kanë konstatuar të djegur plotësisht, një automjet tip “BMW”, brenda të cilit janë gjetur 3 armë zjarri automatike“, njofton policia.

Ngjarja që tronditi zonën të dielën në mbrëmje ndodhi rreth orës 21:05, në rrugën “Ananstas Shundi”, në lokalin në pronësi të Fatjon Muratit, person me precedent të theksuar kriminal.

Mure të çarë nga dhjetëra plumba, xhama të thyer dhe mobilje të shkatërruara… Pamjet që vijnë sot nga lokali në Don Bosko janë imazh i një masakre që shkaktoi një viktimë dhe la pesë të plagosur.

Banakierja e lokalit, Mimoza Paja, rreth 58 vjeç u qëllua për vdekje, ndërsa u plagosën Sahit Murati, Astrit Meraj, Emanuel Sala, Ermir Bejuku dhe Genc Shohalli.