NEWS 4 Nëntor 2022, 18:21

I hiqet licenca azilit ku u dhunua e moshuara në Pejë!

I hiqet licenca azilit ku u dhunua e moshuara në Pejë!

Pas publikimit të videos ku shfaqeshin disa punonjëse që dhunonin një të moshuar në qendrën sociale “Orenda” në Pejë të Kosovës, rast i rëndë që u komentua gjatë në opinion publik shqiptar dhe ndaj të cilit pati shumë reagime, madje edhe në mediat ndërkombëtare, është marrë vendimi për heqjen e licencës së azilit. 

Në një reagim në rrjetet sociale, Ministria e Financave e Republikës së Kosovës thotë se njësia e Inspektimit të Shërbimeve Sociale ka bërë inspektimin e menjëherëshëm të vendit të ngjarjes, si dhe intervistimin e stafit të qendrës dhe dëshmitarëve të rastit. Kështu, me përmbylljen e raportit të inspektimit është marrë vendimi që subjektit “Orenda” t’i revokohet licenca për ofrimin e shërbimeve sociale. Brenda një afati 24 orësh qendra sociale duhet t’i njoftojë familjarët e rezidentëve lidhur me vendimin, kurse deri më datë 7 nëntor do të dorëzojë licencën.

Deklarata e plotë:

“Revokohet licenca e subjekit “Orenda”. Pas publikimit të pamjeve të sulmit fizik ndaj të moshuarës në subjektin “Orenda” në Pejë, Njësia e Inspektimit të Shërbimeve Sociale ka bërë inspektimin e menjëherëshëm të vendit të ngjarjes, si dhe intervistimin e stafit të qendrës dhe dëshmitarëve të rastit.  Me përmbylljen e raportit të inspektimit, i njëjti i është dorëzuar sot Komisionit Licencues, i cili ka mbajtur një takim urgjent ku është marrë vendim që subjektit “Orenda” t’i revokohet licenca për ofrimin e shërbimeve sociale.  Sipas vendimit të Komisionit, subjekti në fjalë është i obliguar që brenda një afati 24 orësh t’i njoftojë familjarët e rezidentëve lidhur me vendimin, kurse deri më datë 7 nëntor (e hënë) obligohet të dorëzojë licencën dhe të mbyll aktivitetin e ofrimit të shërbimeve sociale”

/News31