NEWS 3 Mars 2023, 19:40

Gjykata e Apelit merr vendimin për Partinë Demokratike, rrëzon "Rithemelimin" e Sali Berishës!

Gjykata e Apelit merr vendimin për Partinë Demokratike,  rrëzon

Gjykata e Apelit, pas më shumë se tri orësh tërheqje, ka marrë vendimin ditën e sotme në lidhje me vulën e Partisë Demokratike. Ajo vendosi të rrëzojë “Rithemelimin” e Sali Berishës dhe ta cojë çështjen për rigjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë. Seanca në Apel nisi në orën 11:00 të paradites dhe trupa gjyqësore shqyrtoi ankimimin e Enkelejd Alibeajt, i cili pretendon vulën e PD-së, si pasues i ish-kryetarit Basha. Alibeaj dhe grupimi që ai përfaqëson brenda PD-së kërkuan rrëzimin e vendimit të gjyqtarit Agron Zhukri, i cili kishte njohur Kuvendin e Rithemelimit të Berishës të 11 dhjetorit 2021 si legjitim.

Grupi i Enkelejd Alibeajt përfaqësohej në seancë nga avokati Indrit Sefa dhe Rezart Kthupi, ndërsa përfaqësuesit e Sali Berishës ishin Ivi Kaso, Oerd Bylykbashi dhe Ledina Mandia. Avokati i grupit të Alibeajt, Rezart Kthupi, tha për mediat se me vendimin e sotëm është zhbërë vendimi i Zhukrit, që njohu Kuvendin e Rithemelimit, duke u shprehur:

“Vendimi Zhukri nuk ekziston më.  Pse merreni me selinë. Sot vendimi Zhukri u zhbë dhe mund ta mbyllim diskutimin këtu. Kryetari i Partisë Demokratike është ushtruesi i detyrës, Enkelejd Alibeaj”.

Ky vendim, do të thotë se Sali Berisha mbetet pa vulën e partisë, edhe pse Kuvendi i themeluar prej tij e rizgjodhi si kryetar të PD, në kohën kur kanë mbetur pak ditë për t’u regjistruar në KQZ për zgjedhjet lokale të 14 majit dhe e drejta për zgjedhjen e kandidatëve tashmë i përket Alibeajt.

/News31