NEWS 13 Gusht 2022, 09:40

Fillimisht vrau fëmijët më pas nënën, detaje nga masakra me 10 viktima që tronditi Malin e Zi

Fillimisht vrau fëmijët më pas nënën, detaje nga

Siç mund ta keni lexuar tashmë, Mali i Zi është tronditur ditën e djeshme pas një masakre ku mbetën 10 persona të vrarë dhe 6 të plagosur.

Nga vendi fqinj u bë me dije se Vuk Boriloviq, 34 vjeç, nga Cetinja, ka vrarë 10 bashkëqytetarë dhe ka plagosur 6 në qendër të Prijestonicës. Gjatë masakrës së përgjakshme, në të cilën i mori jetën edhe dy fëmijë të mitur, Boriloviq mësohet se ka gjuajtur me pushkë gjuetie mbi fqinjët, shërbimet e urgjencës mjekësore, pjesëtarët e policisë dhe kalimtarët.

Sipas autoriteteve, gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë, ai është qëlluar për vdekje nga një bashkëqytetar i tij, teksa refuzonte të dorëzohej tek autoritetet e zbatimit të ligjit, edhe pse ishte i rrethuar. Sipas nenit 11 të Kodit Penal, vepra e kryer si mjet i fundit nuk është vepër penale.

Trupi i tij është dërguar për autopsi mbrëmë dhe sipas informacioneve jozyrtare ai ka plagë të shumta me armë zjarri. Është thënë se ekspertët do të përcaktojnë se si ka vdekur dhe nëse është qëlluar nga një armë e vetme.

Sipas të dhënave zyrtare, Boriloviq hyri në banesën e qiramarrësve të tij rreth orës 15:30 dhe vrau 11-vjeçarin M. në derë, pastaj vëllanë e tij tre vjet më të vogël, dhe më pas qëlloi nënën e tyre – Natasha Pajović Martinovic e cila po qëndronte në dritare.

Pasi i vrau, ai thirri babanë e tyre, Millosh Martinoviqin duke ju drejtuar me fjalët: “Unë vrava edhe familjen tënde dhe timen”, kanë treguar dëshmitarët e ngjarjes. Në 45 minutat e ardhshme, në një distancë totale prej 80 metrash nga shtëpia e tij, ai vrau 7 persona të tjerë dhe plagosi 6.

Autoritetet shpjeguan se pas vrasjes së Martinoviqit, ai hyri në shtëpinë e fqinjit ku vrau bashkëqytetarët e moshuar, Danijela dhe Dimitrije Drecun dhe plagosi rëndë nipin e tyre Aleksandar Drecun, 32 vjeç. Në prag të asaj shtëpie ka vrarë edhe djalin e tyre Rajko Drecun, 56 vjeç, i cili ka vrapuar drejt shtëpisë kur ka dëgjuar të shtënat.

Boriloviq vrau edhe fqinjin e tij Milan Mitroviq, 37 vjeç, e më pas dajën e tij Goran Gjurishiq, 54 vjeç, dhe më pas, duke zbritur në rrugë, gjuajti drejt fqinjëve Aleksandra, 52 vjeç dhe Danijela Radunoviq, 51 vjeç. Më pas, i armatosur me dy fishekë dhe një pushkë në dorë, u kthye në drejtim të shtëpisë së fqinjit të tij IJ dhe i tha atij të dilte jashtë. Ai plagosi edhe katër fqinjë të tjerë, Sllavica Zvicer, Filip Gjurkoviq, Mileva Ramadanoviq dhe Darinka Çelebiq , si dhe policin Ljubisha Maksimoviq , i cili po përpiqej ta neutralizonte.

Qendra Klinike e Malit të Zi bëri të ditur mbrëmë se tre nga të plagosurit janë operuar dhe janë vendosur në Repartin e Mjekimit Intensiv.

Ndërkohë autoritetet ende nuk kanë zbuluar detajet dhe motivet që e shtynë Boriloviqin të kryente aktin brutal.

Ushtruesi i detyrës së prokurores supreme të shtetit, Maja Jovanoviq , ka njoftuar se në Cetinje ka ndodhur një tragjedi për mbarë shoqërinë, duke shprehur ngushëllimet. 

Nga ana tjetër raportohet se efektivët që kanë dalë në vendin e ngjarjes pas të shtënave të raportuara nuk kanë mundur t’i afrohen Boriloviqit, për shkak se burri nga Cetinja ka hapur menjëherë zjarr ndaj tyre. Ai ka qëlluar edhe në drejtim të ekipit të Ndihmës Mjekësore të Urgjencës, duke i penguar ata të ndihmojnë bashkëqytetarët e plagosur. Sipas informacioneve nga vendi i ngjarjes, ai ka vrarë xhaxhain e tij teksa po mundohej të arsyetonte me të, duke ju drejtuar me fjalët “tani do të të shpjegoj se çfarë po bëj”.

Për tragjedinë folën të gjithë zyrtarë të lartë shtetërorë, liderë të shumtë të partive politike, ministra të qeverisë, liderë të bashkësive fetare, ambasadorë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare.

Ngjarja në Cetinje është një tragjedi që Mali i Zi nuk e ka përjetuar ndonjëhetë, tha kryeministri Dritan Abazoviç:

“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Malit të Zi që të jenë me familjet e viktimave të pafajshme, të afërmit e tyre, miqtë dhe të gjithë qytetarët e Kryeqytetit të Cetinjës”.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka dërguar ngushëllimet e tij për familjet e viktimave, si dhe për qytetarët e Malit të Zi, ndërsa Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Judy Reising Reinke, tha se është tronditur nga lajmi për dhunën në Cetinje, ku humbën shumë jetë të çmuara.

Qeveria e Malit të Zi ka shpallur tri ditë zie për tragjedinë e ndodhur:

"Në përputhje me Vendimin e Qeverisë, ditët e zisë janë të shtunën, të dielën dhe të hënën, përkatësisht datat 13, 14 dhe 15 gusht 2022. Me rastin e zisë treditore, në përputhje me Ligjin për simbolet shtetërore dhe ditën e shtetësisë, qeveria njoftoi se flamujt do të vendosen në gjysmështizë në të gjitha objektet e organeve shtetërore dhe objektet e organeve të vetëqeverisjes lokale dhe publike. Në përputhje me vendimin, në ditën e zisë nuk do të mbahen programe kulturore dhe argëtuese në vende publike dhe nuk do të transmetohet muzika në objektet hotelierike. Mediat elektronike dhe mediat e tjera janë të detyruara që përmbajtjen e tyre programore t’i përshtatin përkujtimit të ditës së zisë."

/News31

Burimi: Abcnews.al