NEWS 22 Nëntor 2022, 10:59

Digjet një makinë me targa serbe në Kosovë

Digjet një makinë me targa serbe në Kosovë

Një makinë me targa të Serbisë është djegur mbrëmjen e djeshme në veri të Mitrovicës, në Kosovë.

Sipas drejtorit të Policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Besim Hotit, ngjarja ka ndodhur në orën 02:05 të mëngjesit. Hoti shtoi se janë duke u zhvilluar hetime lidhur me rastin.

Më herët, në veri të Kosovës janë djegur edhe makina me targa RKS, në pronësi të qytetarëve serbë që jetojnë atje.

Aktualisht, autoritetet e Kosovës janë duke zbatuar një plan tre fazësh përmes së cilit inkurajohen qytetarët në katër komunat veriore të vendit, që të riregjistrojnë veturat e tyre në targa RKS.

Faza e parë ka paraparë qortimin, e dyta parasheh gjobën dhe më vonë parashihet të vendosen disa targa provuese.

Zbatimi i fazës së dytë, që parasheh shqiptimin e gjobave prej 150 eurosh për qytetarët që qarkullojnë me targa të tilla, është shtyrë për 48 orë.

Para shtyrjes së vendimit, Policia e Kosovës pati planifikuar që vendimin për gjobat ta zbatonte nga mëngjesi i 22 nëntorit.

Kërkesën për shtyrje 48 orëshe e kanë bërë Shtetet e Bashkuara.

Serbia, e cila lëshon targa të paligjshme për serbët e Kosovës që nga paslufta më 1999, e kundërshton këtë plan duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës. Si pasojë e tensioneve të ngritura, serbët e veriut të Kosovës ku qarkullojnë kryesisht makinat me targa të paligjshme  kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës. Ata po ashtu kanë paralajmëruar se do të kundërshtojnë shqiptimin e gjobave nga autoritetet e Kosovës.

 

 

 

Burimi: Top Channel