NEWS 29 Korrik 2022, 19:39

Dënohet me burg ish-kryebashkiaku i Lushnjës, Fatos Tushe!

Dënohet me burg ish-kryebashkiaku i Lushnjës, Fatos Tushe!


Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka dënuar me 2 vite e 4 muaj burg ish-kryetarin e Bashkisë së Lushnjës Fatos Tushe, i akuzuar për shpërdorim detyre pasi ka abuzuar me tenderat për kanalet vaditëse. Gjithashtu, Tushes i hiqet e drejta për 5 vite që të mbajë funksione publike.

Prokuroria e Posaçme fillimisht kërkoi dënimin me 5 vite burg për Tushen. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai përfitoi ulje me 1/3 e dënimit, ndërsa do ta kryejë në një burg të zakonshëm.

Fatos Tushe u arrestua me 6 korrik të vitit të kaluar bashkë me ish-vartësit e tij për akuzën shpërdorimit të detyrës. GJKKO ka rrëzuar disa herë kërkesat e tij për liri dhe tashmë Tushe do të vuajë dënimin në qeli.

Arrestimi i tij u bë lidhur me një tender me vlerë rreth 24 milionë lekë për rehabilitimin e një kanali ujitës në fshatrat Bishqethëm dhe Bitaj. Nga hetimet dhe përgjimet e Prokurorisë së Posaçme të nisura në 2020-ën rezulton Fatos Tushe ka shpërdoruar detyrën në tre raste.

Përgjatë një viti hetimesh, SPAK pretendon se ish-kryebashkiaku i Lushnjes, ka kryer shkelje jo vetëm për dhënien në favor të miqve tenderin prej 23 milionë lekësh. Sipas SPAK  ndonëse fituese u shpall “Euro Alb”, punimet për rehabilitimin e kanalit vaditës i kreu shoqëria e Ibrahim Lamit, i cili shfaqet shpesh në biseda dhe përgjime, si dhe etiketohet si “miku” i ish kryebashkiakut.

Një tjetër episod  kundër ish-kryebashkiakut lidhet me një telefonatë në të cilën një banor i kërkon ndihmë sepse një inspektor i kishte pezulluar ndërtimin e banesës, dhe ai i përgjigjet “Thuaji që fola me shefin”.

Vendimet për të pandehurit e tjerë.

"Gentjan Nushe ish kryebashkiaku, 1.8 vite burg

Bektash Nezha, 1 vit burg. Del nga qelia sepse ka përfunduar dënimin.

Ledi Aleksi, 8 muaj. Del nga burgu sepse ka përfunduar dënimin."

/News31