Autori i vrasjes së Arian Gosës vetëdorëzohet në Polici nepermjet nje video-mesazhi!

Habib Rexha, 31-vjeçari i akuzuar si vrasësi i Arian Gosës në Kavajë më 21 Maj, është vetëdorëzuar në Policinë e Kavajës. Sipas mediave ai u vetëdorëzua me vullnet të lirë dhe pas kërkesës së familjarëve, teksa qëndroi 2 ditë në arrati pasi vrau Arian Gosën në një lokal të Kavajës pasditen e së dielës.
Kamerat e sigurisë së bizneseve në Kavajë e filmuan teksa largohej në këmbë pasi qëlloi me një plumb në kokë Arian Gosën, kur ky i fundit ishte duke konsumuar një kafe me babain e tij. Ky i fundit pa të birin t’i vritej përpara syve. Habib Rexha u identifikua nga policia rreth 3 orë pas krimit dhe u shpall zyrtarisht në kërkim.
Ngjarja e rëndë erdhi më pak se dy muaj nga vrasja e Edmond Gosës, vëllait të Arian Gosës, i cili në fund të marsit, pas një sherri për motive banale, në një tjetër lagje të Kavajës, u konfrontua fizikisht me shtetasin Altin Rexha, vëllain e Habib Rexhës.
Ndërkohë, autori i krimit ka realizuar një video përpara se t’u dorëzohet autoriteteve, ku thotë se do të dorëzohet në Komisariatin e Policisë së Kavajës me vullnetin e tij të lirë dhe me kërkesë të familjarëve. Tv Klan ka siguruar këtë video ekskluzive të Habib Rexhës, përpara se ai të vetëdorëzohej në Komisariatin e Kavajës, ku thotë: “Unë jam Habib Rexha, ky është Fadil Rexha, babai im. Me dëshirën time do vetëdorëzohem në Komisariatin e Kavajës dhe me kërkesën e familjes time."
/News31