
Produkti

Aksidenti i autobuzit të Unazës, zbardhet dëshmia e shoferit, reagon Bashkia e Tiranës!

Një aksident i rënë ka ndodhur paraditen e sotme në Tiranë, ku një autobuz i linjës së Unazës në kryeqytet është përplasur dhe ka aksidentuar disa makinë në një prej kryqëzimeve më të populluara të qytetit, duke shkaktuar jo vetëm dëme materiale, por edhe të plagosur si edhe panik tek qytetarët e pranishëm në vendngjarje.
Pas aksidentit, janë bërë virale pamjet e përplasjes, teksa shihet si ka ndodhur e gjithë ngjarja, duke mos përcaktuar me saktësi megjithatë cili nga shoferët ishte fajtor, gjë që sigurisht është në dorën e ekspertëve dhe të Policisë që aktualisht janë duke kryer testet dhe hetimet përkatëse.
Po ashtu është zbardhur edhe dëshmira fillestare e shoferit të autobuzit të Unazës, i cili ka thënë në Polici se nuk ndihej mirë në momentin që ndodhi aksidenti. Agron Xhafa, 62 vjeç, ka treguar se vuan nga diabeti dhe zemra e sic bëhet me dije ka deklaruar se nuk e mban mend si ndodhi aksidenti.
Ndërkohë, sipas policisë, shoferi ka rezultuar se nuk ka qenë nën efektin e alkoolit, pasi i është bërë testi, ndërsa nga verifikimet autobusi në atë moment nuk ka ndaluar për të zbritur apo për të marrë pasagjerë, por ka qenë në lëvizje. Sipas policisë, nga kjo ngjarje janë lënduar 9 persona, të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve, ndërkohë në një deklaratë shefi i Urgjencës, Skënder Brataj ka thënë se numri i tyre mund të shtohet sepse pasojat e problemve nuk shfaqen të gjitha në moment.
Shefi i qarkullimit për Tiranën Taulant Gjoka po ashtu ka deklaruar se po hetohet për zbardhjen e plotë të shkaqeve, teksa paraprakisht dyshohet se shoferi i autobusit ka shkelur rregullat e qarkullimit rrugor. Ai tha se këtij të fundit i është bërë edhe testi i drogës, përvecse i alkoolit, e priten rezultatet. Nga ana tjetër, të 5 shoferëve të përfshirë në aksident u është bërë testi i alkoolit dhe kanë rezultuar negativë.
“Policia po heton për të parë dhe kënde të tjera të aksidentit, jo vetëm atë që shfaqet videot e shpërndara. Nuk duhet të nxitojmë për të bërë me faj asnjë nga dejtuesit që janë përfshirë në këtë aksident të pazakontë, për sa i përket numrit të mjeteve. Referuar të dhënave që kemi marrë nga grupi ghetomor, mund të themi që kemi të dyshuar drejtuesin e autobusit për shkelje të kodit rrugor. 5 shoferët e përfshirë në aksidnet u janë bërë testet e alkoolit, dhe kanë rezultuar negativë. Shoferi ka deklaruar se ka qenë jo koshient në momentin e ngjarjes për shkak se ka thënë se vuan nga një sëmundje, e për këtë i është bërë testi i drogës, nuk kujton çfarë ka ndodhur”,-u shpreh Gjoka
Kemi edhe një reagim nga Bashkia e Tiranës pas ngjarjes së rëndë, ku bëhet me dije se Bashkia po bashkëpunon me të gjitha institucionet për zbardhjen e shkaqeve dhe të rrethanave të këtij aksidenti dhe se pamjet filmike i janë vendosur në dispozicion Policisë Rrugore Tiranë:
“Po bashkëpunojmë me institucionet përkatëse deri në zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave, që çuan në këtë ngjarje! Të gjitha filmimet e kamerave të Policisë Bashkiake janë vendosur në dispozicion të Policisë Rrugore të Tiranës, teksa jemi informuar që të gjithë drejtuesit e mjeteve të përfshira janë testuar dhe intervistuar nga kolegët e policisë, për të çuar në hetimin e plotë të aksidentit, që fatmirësisht nuk pati pasoja në jetë njerëzish”.
/News31