5 Maji, politika shqiptare përkujton dëshmorët
Dëshmorët e Kombit përkujtohen çdo vit më 5 Maj. Janë të shumtë emrat që kujtohen me mirënjohje për vlerat dhe kontributin e tyre në çlirimin e vendit.
Dita e Dëshmorëve e ka origjinën në 5 maj 1942, kur u vra Qemal Stafa, i cili me veprimtarinë e tij u kthye në simbol të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Pas shpalljes së Pavarësisë më 1912 e deri me 1945, shteti shqiptar nuk krijoi një status ligjor për dëshmorët e Atdheut. Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, nisën përpjekjet e para, për të nderuar dëshmorët e rënë në fushat e betejave.
Presidenti Meta përkujtoi Stafën dhe mijëra të rinj e të reja që dhanë jetën për lirinë.
“Sot është edhe një ditë e madhe frymëzimi për të ndërtuar një të ardhme më të mirë të Shqipërisë dhe për të qenë gjithmonë vigjilentë në mbrojtje të Sovranitetit, Lirisë dhe Pavarësisë,” – shkroi Meta.
Kryeministri Rama përkujtoi këtë ditë historike në faqen e tij në Facebook ku shkroi “Përulësisht me respekt për ata që e deshën atdheun me jetë. Të paharrueshmit, Dëshmorët tanë”.