Nesër nis mësimi në universitet, studentët paralajmërojnë protesta



Nesër nis viti akademik 2021-2022, dhe ndryshe nga një vit më parë studentët do të jenë në auditor me kushtin që të jenë të vaksinuar.





Ministrja e Arsimit Evish Kushi i ka uruar të gjithëve një vit të mbarë, ndërsa i ka bërë sërish thirrje studentëve të pavaksinuar. Në fjalën e saj përmes rrjetit social Facebook, Kushi është shprehur se fillimi i këtij viti akademik u bë i mundur falë efekteve pozitive të fushatës masive të vaksinimit, por edhe falë një ndërgjegjësimi më të lartë personal dhe kolektiv për të respektuar protokollet e institucioneve shëndetësore.






Institucionet e arsimit të lartë njoftojnë studentët që nuk do të pranohen brenda ambienteve universitare në rast se nuk paraqesin kartën e vaksinimit, ose testin negativ ose një vërtetim nga mjeku për problematikë shëndetësore që nuk kryhet vaksina.

Sipas rektorit të Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, rreth gjysma e studentëve të këtij universiteti është vaksinuar. Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për ndërgjegjësimin e të rinjve që të vaksinohen, jo të gjithë janë të bindur për efektivitetin e saj, edhe pse e dinë rrezikun për humbjen e vitit akademik ata shpresojnë në ndryshimin e urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë që vaksina të mos jetë e detyrueshme për të zhvilluar mësim.

Madje, në rrjetet sociale është shpërndarë një poster ku bëhet thirrje për protestë. “Studentë të pavaksinuar që nuk doni të shpoheni me diçka që nuk e dini çfarë është dhe çfarë efektesh afatgjata ka. Në qoftë se nuk lejnë të huni në auditorë, në qoftë se nuk ia dilni të futeni në shkollë duke bllokuar bashkërisht dyert, protestë të hënën në orën 10:00-11:00 në sheshin “Nënë Tereza” dhe në orën 11:00 marshim drejt kryeministrisë”, shkruhet në poster.

Megjithatë, se çfarë do të ndodhë nesër, më 18 tetor, është ende e paqartë.

/News31