Ndahet nga jeta e Artjan Tepelena, presidenti Ilir Meta: "Do të kujtohet si shembulli i duhur i brezave të rinj"
Në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme ka ndërruar jetë gazetari i njohur Artjan Tepelena, i cili prej disa kohësh ishte shtruar në Sanatoriumin e Tiranës duke iu nënshtruar një terapie intensive, pasi ishte prekur nga Covid-19. Lajmi i trishtë është bërë i ditur ne rrjetet sociale, ku me dhjetra miq e kolegë të tij kanë shprehur ngushëllimet e tyre për familjen e të ndjerit.
Edhe Presidenti Ilir Meta ka reaguar përmes një statusi në Facebook duke theksuar se do të kujtohet si lektori dhe shembulli i duhur i brezave të rinj të gazetarëve shqiptarë.
“Trishtim për ndarjen e parakohshme nga jeta të gazetarit të mirënjohur Artjan Tepelena, i cili humbi sot betejën me COVID-19. Ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve dhe komunitetit të gazetarëve!
Me kontributin e tij të gjatë dhe të pazëvendësueshëm në media, Artjan Tepelena do të kujtohet si lektori dhe shembulli i duhur i brezave të rinj të gazetarëve shqiptarë, në mbrojtje të fjalës së lirë dhe kundër konformizmit në profesion. Të prehet në paqe” shkruan Meta.
/News31