Mutacioni indian i Covid-19, Amerika dhe Australia, masa të rrepta dhe dënime ndaj personave që vijnë nga India



Zëvendëspresidentja e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris konfirmoi të premten se administrata e Presidentit Joe Biden do të vendosë kufizime udhëtimi ndaj Indisë për shkak të valës së COVID-19 që ajo po përjeton.





“Kemi njoftuar se do të ketë kufizime udhëtimi duke filluar nga e marta nën këshillimin e Qendrave për Kontrollin e Sëmundjeve, ekspertëve tanë mjekësorë për COVID-19 dhe këshilltarëve tanë të sigurisë kombëtare”, tha nënpresidentja Harris.

Presidenti Biden i vendosi kufizimet e reja, duke ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara të shumicës së qytetarëve joamerikanë nga India. Kufizimet e reja do të hyjnë në fuqi të martën më 4 maj.

Ndërkohë pas situatës së krijuar në Indi, Australia ka vendosur që çdo qytetar që kthehet nga India, mund të përballet me pesë vjet burg dhe gjobë, pasi qeveria e ka bërë udhëtimin përkohësisht të paligjshëm.

Kjo do të jetë hera e parë që australianët kriminalizohen për kthimin në vendin e tyre, raportojnë mediat. Një mjek i tha ABC se ligji i ri i qeverisë ishte joproporcional me kërcënimin e paraqitur nga ata që ktheheshin nga India.





Nga e hëna, kushdo që ka qenë në Indi brenda 14 ditëve nga data e parashikuar e mbërritjes në Australi, do të ndalohet të hyjë në vend.

Mosrespektimi i vendimit të ri mund të rezultojë në një dënim me pesë vjet burg, një gjobë prej 66,000 dollarësh (37,000 £)  ose të dyja dënimet e marra bashkë. Vendimi do të rishikohet në 15 maj, tha Ministria e Shëndetësisë. “Qeveria nuk i bën këto vendime lehtësisht,” tha Ministri i Shëndetësisë Greg Hunt në deklaratë./News31

Burimi: “Opinion”