Mundi kampionen ruse, Majlinda Kelmendi shpallet fituese në Kampioniatin Europian
Xhudistja Majlinda Kelmendi arriti të merrte medaljen e artë në Kampionatin Evropian të Lojërave Evropiane Minsk 2019. Kampionia shqiptare arriti të mposhtte kampionen e deritanishme të Evropës, rusen Natalia Kuziutina.
Kjo është medalja e parë e artë që shkon në Kosovë, ndërsa për Majlindën është titulli i katërt i kampiones së Evropës.
Në një intervistë për mediat kosovare Majlinda tregoi se fitoren ia dedikon një të afërmi të veçantë, i cili ka ndërruar jetë para disa muajsh.
Fjala e plotë të Majlindës:
“Po ndihem shumë e lumtur. Është hera e parë për mua që marrë pjesë në Lojërat Evropiane, që në sportin tonë janë të njëjta me kampionatin evropian, arsye për të cilën marrim dy medalje në një ditë. Realisht ishte një ditë e gjatë dhe e vështirë, me mjaft stres, duke pasur parasysh se dy vitet e fundit nuk morra pjesë në kampionate, për shkak të lëndimeve. Sot isha mjaft e motivuar dhe besoj se gara shkoi shumë mirë. Finalja shkoi ashtu siç dëshirova. Rusja është shumë e fortë fizikisht, por në fund bëra gjuajtjen e hodha dhe thjesht ndjeva atmosferën e mirë që më rrethoi aty dhe shumë shikues që ishin dhe patën mundësinë me na përkrah. Jo shpesh kemi mundësi të shohim shqiptarët në këto nivele të na përkrahin kështu që thjesht i falënderoj”.