Ministrja e Shëndetësisë Manastirliu zbulon se kush do të vaksinohet me "Sputnik V"
Ditën e djeshme mbërriten në vendin tonë 10 mijë doza të vaksinës ruse "Sputnik V", një dhuratë e ardhur nga Emiratet e Bashkuara Arabe për Shqipërinë. Ndërkohë ditën e sotme, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, tha se me këto doza të vaksinës ruse do të vijojë vaksinimi i të moshuarve mbi 80 vjeç. Kujtojmë se deri më tani një pjesë e të moshuarve kanë marrë vaksinën "Pfizer", me të cilën janë vaksinaur edhe mjekët e stafit shëndetësor, ndërsa mësuesit kanë marrë "AstraZeneca"-n. Me ardhjen e prodhimit rus në vendin tonë, dje u përfol se kategoritë e ardshme që do të vaksionoheshin në vendin tonë do të jenë gazetarët dhe policët, megjithatë për këtë nuk ka ende asnjë konfirmim zyrtar, ndërsa Manastirliu thotë se do të vazhdohet me të moshuarit, më të rrezikuarit nga pandemia.
“Me dozat që erdhën dje do të vijojmë vaksinimin e të moshuarve +80, duke ndjekur planin e vaksinimit. Në tërësi bashkë me dozat e ardhura dje, kemi 90 mijë doza vaksine në total. Ndërkohë që presim që të na vijnë doza të tjera nga Pfizer në ditët e para të prillit. Gjithashtu presim nga Covax edhe një sasi tjetër të AstraZeneca, deri tani kemi një të dhënë për 60 mijë deri në 80 mijë vaksina të AstraZeneca. Dhe po konkludojmë negociatat që kemi hapur përsa i përket edhe fillimit të vaksinimit masiv”, tha ministrja e Shëndetësisë ndër të tjera.
Që prej fillimit të vaksinimit në Shqipëri janë kryer në total 48,215 doza të vaksinës ndaj Covid-19. Janë bërë 27,872 vaksinime për personelin shëndetësor dhe stafet mbështetëse, 7,932 vaksinime për të moshuarit dhe 12,411 vaksinime për arsimtarët. Procesi i vaksinimit po kryhet sipas të gjithë parametrave të sigurisë dhe cilësisë nga ekipe të trajnuar vaksinatorësh sipas ministres së Shëndetësisë.
/News31
Burimi: Opinion