Mësimi në auditore apo online? Flet Rektori i Universitetit të Tiranës: “Vaksinimi nuk duhet të ishte me detyrim”
Nisur nga rritja e rasteve me COVID-19 në Shqipëri, ende nuk dihet një datë konkrete për nisjen e universiteteve dhe as mënyra se si do të zhvillohet mësimi.
Rektori i Universitetit të Tiranës Artan Hoxha ka folur lidhur me dy mundësitë.
“Diskutimi është nëse ky vit akademik do të fillojë në auditor apo online. Ne duhet të jemi të përgatitur për çdo rast. Nuk duhet të ecim me supozime dhe të mos flasim me sikur dhe të flasim me atë që do ndodhë lidhur me vendimmarrjen e komitetit teknik që përcaktojnë mënyrën si do jetë akomodimi i njerëzve me institucionet", tha ai.
Duke bërë thirrje për vaksinimin e studentëve, Hoxha tha se 75% e stafit të Universitetit të Tiranës janë vaksinuar ndaj COVID deri tani.
“Vaksinimi s’ka pse të jetë i detyrueshëm. Sa i përket zhvillimit të mësimit, ende nuk kemi vendosur si do të vijojë. Pedagogët dhe stafi i Universitetit të Tiranës janë vaksinuar në masën 75 %”, u shpreh rektori.
Kjo deklaratë e tij është bërë gjatë ceremonisë të përkujtimit të ndarjes nga jeta nga COVID-19, të profesoreshës të Fakultetit të Ekonomisë Vjollca Karpici dhe Irena Bogdani, si dhe studentes Euxhena Jorgji.
Komiteti i Ekspertëve ka vendosur vaksinimin me detyrim për studentët dhe arsimtarët, para nisjes së vitit akademik. Ky vendim ka hasur kundërshti, madje disa studentë janë ngritur edhe në protesta.
/News31