Me maska e policë në dyert e fakulteteve, studentët rikthehen në auditorë pas një viti mësim online



Ka startuar sot në mbarë vendin viti i ri akademik. Studentët në mbarë vendin po iu rikthehen auditorëve, pas një shkëputjeje të gjatë, për shkak të situatës së koronavirusit.





At duhet të paraqesin certefikatën e vaksinës ose një vërtetim që kanë kryer të paktën një dozë, ose duke paraqitur një test PCR negativ.






Policët janë vendosur edhe në hyrje të çdo fakulteti tjetër, për të kontrolluar studentët për vaksinën ose testin anti-Covid, ndërkohë që, siç shihet nga fotot, këta të fundit janë të gjithë me maska, si dhe iu matet temperatura para se t’i drejtohen auditorëve.

Por përpos atyre që do të hyjnë në auditore për të ndjekur leksionet dhe seminarët, të tjerë studentë do të jenë në një marshim protestë para Kampusit Universitar. Ata kundërshtojnë detyrimin për tu vaksinuar si një kusht për tu pranuar brenda ambienteve të universitetit.

Në një prononcim për mediat rektori i UT, Artan Hoxha, tha se mbi 50% e studentëve janë vaksinuar dhe se pikat e vaksinimit në fakultete do të vijojnë që të funksionojnë për të gjithë ata studentë që nuk e kanë të mundur që të vaksinohen. Rektori pohoi se studentët që vijnë për herë të parë në Universitet janë më të vaksinuarit.

Nga ana tjetër me rastin e nisjes së vitit të ri akademik, ministrja e Arsimit Evis Kushi teksa ka uruar studentët, është shprehur se vaksinimi është i nevojshëm, pasi universitet nuk formojnë vetëm shkencëtarë, por edhe qytetarë të një shoqërie.

Ishte parashikuar që viti i ri akademik të niste më 11 tetor, por me kërkesë të Konferencës së Rektorëve, u përcaktua data 18 tetor, dhe kjo me qëllim vaksinimin masiv të studentëve gjatë javës.

/News31