Mbyllet një nga rrjetet më të mëdha në botë të kinemave



“Cineworld Group”, kompania që zotëron Regal Cinemas, do të ndalojë veprimtarinë në të gjitha kinematë në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar duke filluar nga dita e enjte. Mbyllja do t’i kushtojë vendin e punës 45 mijë njerëzve. Lajmi vjen pak ditë pasi premiera e filmit të fundit i James Bond “No Time to Die”, u shty për në pranverën e 2021-it, “goditja” e fundit që mori industria e filmit. Ndërkohë në Amerikë dhe Angli ka nisur vala e dytë e koronavirusit.

Në një deklaratë të bërë publike sot, kompania tha se nuk mund t’i ofronte më shërbim klientëve  “me mungesën në treg të filmave komercialë, të cilët i duhen sallave të kinemave për t’i mbijetuar krizës ekonomike të Covid-19.”

Grupi zotëron 127 kinema në Britani, përfshirë edhe “Picturehouse Cinemas” dhe 536 kinema në SHBA. Është kompania e dytë më e madhe e kinemave në botë pas “AMC”. Vendimi i Cineworld ka rikthyer frikën se industria e filmit nuk do mund t’i mbijetojë pandemisë, ndërkohë që aksionet e kompanisë në Londër ranë me 42%.

Në fakt ata i rihapën sallat në muajin korrik pas disa muajsh mbylljeje totale, duke respektuar masa rigoroze të sigurisë. Megjithatë tani janë mbyllur të gjitha dhe nuk dihet kur do të rikthehen operacionale. Muajin e kaluar Cineworld raportoi një humbje prej 1.6 miliardë dollarësh për gjysmën e parë të vitit 2020. Një numër i madh filmash si “Black Widow”, “Tenet” apo “Wonder Woman 1984” ose janë shtyrë ose nuk janë shfaqur fare në kinema edhe kanë dalë në treg.

/News31