Maturantët nisin peticion online dhe paralajmërojnë protesta pas provimit të Matematikës



Maturantët kanë mbetur të pakënaqur me provimin në lëndën e Matematikës që zhvilluan ditën e sotme. Ata kanë nisur një peticion online pasi pretendojnë se koha prej 2 orë e 30 minuta ishte e pamjaftueshme për të zgjidhur të gjithë provimin pasi pyetjet ishin të ngatërruara. Po ashtu ata kërkojnë rivlerësim të pikëve të nevojitura për të marrë notën 10.00, ku nga 60 pikë që është aktualisht, ky prag të ulet në 50 pikë.






Ndërkohë në faqen “Studentët denoncojnë”, është bërē me dije se po mendohet që të zhvillohet një protestë ditën e nesërme në orën 11:30. Sfida e fundit për studentët mbetet provimi i lëndës me zgjedhje në 15 qershor. Një maturantë shkruan se kanë harruar vështirësitë e mësimit online dhe mungesës së mësimdhënies në periudhën e tërmetit të vitit 2019.

“Doja të thoja se kjo ishte një tallje për maturantët. Provimi nuk kishte asnjë lidhje me modelin që na u dërgua. Ministria jonë e dashur nuk llogariti aspak mësimin online dhe si padashje harroi që ne kemi që në tërmetin e 2019 që nuk bëjmë mësim tamam.

Por normalisht që ne ja kalojmë Suedisë, ja keni kaluar gjithmonë dhe mësimi online sipas tyre ka qenë super eficent. Duhet të bëjmë thirrje për protest të gjithë maturantët, boll i lamë të tallen me ne si duan. Sa për tezat që dalin nuk e di ku ndodhin por kjo është padrejtësi e madhe. Në gjimnazin tim (në Tiranë) nuk na lanë as me njëri-tjetrin të komunikojmë ndërsa nëpër rrethe i lënë të lirë.

Si gjithmonë e vetmja gjë e drejtë në këtë vend janë kullat që ndërtohen nëpër kryeqytet”, shkruhej në mesazh.