LSI voton sot për kreun e partisë dhe ekipin e zgjedhjeve, Kryemadhi: “Mua ma mblodhi partia!”

 

Antarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim u janë drejtuar ditën e sotme kutive të votimit në të gjitha qytetet për të zgjedhur ekipin e ri që të do të konkurrojë në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit.

Të gjithë eksponentët e rëndësishëm të kësaj force partiake kanë votuar në qytetet ku ata do të kandidojnë në zgjedhjet e ardhshme.
Kështu, kryetarja aktuale dhe që pritet të rikonfirmohet, Monika Kryemadhi ka votuar në njësinë nr. 5 në kryeqytet. Sakaq, Vangjel Tavo ka votuar në Gjirokastër, Luana Rama në Vlorë e eksponentë të tjerë si Petrit Vasili, Klajda Gjoshaj apo Kejdi Mehmetaj kanë zgjedhur Tiranën.

My Dental

Në një prononcim për mediat, Kryemadhi shprehet: “Sot dhashë një votë si të gjithë anëtarët e tjerë. Shoh shumë gra në listë, kanë ardhur vajza në LSI e janë bërë nëna, shoh edhe shumë të rinj. Garoj për tu rikonfirmuar, por po pres me padurim zgjedhjen e ekipit drejtues që do dalë nga ky proces. Ekipi që do drejtojë LSI në misionin kombëtar për t’ju dhënë shqiptarëve punësim, arsim cilësor, ulje kosto jetese dhe cilësi. Fitorja e LSI do jetë e jashtëzakonshme, është fitorja e të rinjve dhe të rejave!”

E pyetur për mbajtjen e maskës, liderja e LSI-së tha: “Me sa duket partia ma mbledh, jo njeri tjetër. Unë përsëri vazhdoj të mendoj që maska mbahet në ambiente të mbyllura, ta mbajnë se besojnë dhe jo se i kërcënojnë. Sot duhet t’i ofrojmë shqiptarëve forcë, optimizëm, ata nuk i mund korona, as varfëria. Ata brenda vetes kanë dashuri, solidaritet lidhje dhe forcë me njëri-tjetrin”.

Rezultati i proçesit të votimit pritet të dalë brenda fundjavës për të shpallur edhe listën e emrave që do të përballen me forcat e tjera partiake në zgjedhjet e 25 prillit.