
Produkti

Trofeu i Eurovision-it u shit, mësoni shumën e parave që do të përdoret për të ndihmuar me luftën në Ukrainë

Kalush Orchestra, grupi ukrainas që fitoi Eurovision-in e këtij viti, ka shitur trofeun për 838 mijë euro për të mbledhur para për luftën në Ukrainë.
Mikrofoni i kristaltë u hodh në ankand në Facebook, me qëllim blerjen e dronëve për ushtrinë e Ukrainës.
Shitja përkoi me paraqitjen e grupit në një koncert bamirësie në Portën e Brandenburgut të Berlinit, që synonte të mblidhte para për kujdesin mjekësor dhe furnizimet.
Duke folur në koncert, anëtari i grupit Oleh Psiuk bëri thirrje që njerëzit të mos mësohen me luftën, e cila ka lënë të paktën 4 031 civilë të vdekur dhe 4 735 të plagosur, sipas OKB-së, pa përfshirë këtu një numër të panjohur luftëtarësh.
Ajo ka detyruar gjithashtu më shumë se 14 milionë njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre që kur Rusia nisi pushtimin më 24 shkurt.