LIFESTYLE 25 Nëntor 2022, 13:57

Tri propozime “skandaloze” librash

Tri propozime “skandaloze” librash

“Skandal” është titulli i një koleksioni që Botime Pegi ka hedhur në qarkullim qysh vitin e
kaluar. Në të janë përfshirë tetë autorë dhe tituj të letërsisë europiane, të cilët kanë shkaktuar bujë
dhe kanë thyer tabu në kohën e botimit të tyre, njëkohësisht duke çelur një dritare emancipimi
për gjithë shoqërinë.

Pjesë e projektit janë dhe botimet në gjuhën gjermane, nga shtëpia botuese Schenk Verlag të dy
autorëve shqiptarë, Tom Kuka me “Gurët e vetmisë” dhe Ndriçim Ademaj me “Pa heronj, pa
bujë”.

Tre titujt më të fundit të këtij koleksioni, që po paraqesim këtu, vijnë nga Greqia, Italia dhe
Irlanda. Projekti është mbështetur nga programi Europa Krijuese.

1. “Jeta shpirtërore”, shkruar nga Alberto Moravia dhe përkthyer nga Aida Baro.

Tri propozime “skandaloze” librash

Dezideria, e bukur, e re dhe pamëshirshme është vajza e birësuar e Violës, një borgjezeje të
pasur romane, por tërësisht të shthurur moralisht dhe seksualisht. Romani zhvillohet si një intervistë e gjatë, ku një personazh i quajtur “Unë”, që mund të interpretohet si gazetar, psikolog, shkrimtar, interviston Deziderian, duke e ngacmuar me pyetje në dukje të thjeshta mbi jetën e saj, por nga ana tjetër duke nxjerrë në pah rrënimin e vërtetë të vlerave shoqërore.

Vajza rrëfen historinë e jetës së saj që nga fëmijëria e hershme me një qartësi dhe sinqeritet të
skajshëm, rebelimin e saj ndaj familjes, klasës dhe shoqërisë, së cilës i përket jo për shkak të
lindjes. E shtyrë nga një Zë i brendshëm, nga shpirti i revoltës, i cili do t’i imponohet përmes një “plani
për shkelje dhe përdhosje” të të gjitha të ashtuquajturave vlera borgjeze, ajo nuk ngurron të
ndërmarrë hapa të guximshëm që do ta shpien drejt prostitucionit, orgjisë, komplotit të
rrëmbimit, grabitjes dhe incestit.

2. “Kompleksi im i Edipit dhe rrëfenja të tjera” shkruar nga Frank O’Connor dhe përkthyer nga
Sokol Çunga.

Tri propozime “skandaloze” librash

Ai është një përmbledhje me tregime, përzgjedhur nga Julian Barnes. Në to, përmes rrëfimeve
mbi fëmijërinë dhe martesën, seksin dhe fenë, luftën dhe pleqërinë, O’Connor-i shpalos në
formën më të plotë zhdërvjelltësinë, humorin dhe mprehtësinë e tij. Ai përshkruan djelmosha, të
bindur se janë gjeni apo që i ka kapërthyer rivaliteti me babanë e tyre, si dhe ushtarë të Ushtrisë
Republikane Irlandeze që duhet të marrin vendime të vështira në mes të një lufte topitëse. Diku
tjetër, një grua e moshuar kërcënon të birin se do t’i shfaqet lugat, po të mos e varrosë në fshatin e prejardhjes, teksa një kurorë lulesh gati sa nuk plas skandalin, sepse një dorë anonime e lë në
funeralin e një prifti. Në këto përjetime të bukura të jetës së zakonshme – sa komike, aq dhe
tragjike – O’Connor-i portretizon çaste të parëndësishme, që na çojnë tek e vërteta psikologjike
që qëndron në zemër të personazheve të tij.

3. “Ëndrrat dhe dashuritë e një jete”, shkruar nga M. Karagacis dhe përkthyer nga Romeo
Çollaku.

Tri propozime “skandaloze” librash

Ai është një ndër romanet më të njohura dhe emocionuese të letërsisë greke moderne. Shpesh,
për nga struktura e rrëfimit dhe tematika që trajton, është konsideruar si “Getsbi i madh” i
shkrimtarit të njohur amerikan F. S. Fitzgerald. Vasili Karloviç Junkerman është pinjoll i një
familjeje të pasur finlandeze, i kredhur në botën e qejfit, alkoolit, kumarit, mashtrimeve dhe
zhvatjeve, i cili, për shkak të revolucionit rus e të tjera ngjarjeve të turbullta, përfundon në brigjet
e Pireut. Ashtu si Xhej Getsbi, Vasili Junkerman arrin të fitojë pushtet dhe pasuri përmes
veprimtarive të dyshimta. Punësohet në një bankë dhe shpejt bëhet një prej krerëve të saj më të
lartë, duke siguruar kështu jo vetëm një post qendror, por edhe mundësinë për të siguruar një
mirëqenie të jashtëzakonshme. Në jetën e tij hyjnë e dalin shumë gra, të bukura, joshëse,
përfituese, por vetëm njëra e përfshin në një pasion marramendës, zjarri i të cilit do ta shenjojë
përgjithmonë. Sidoqoftë, ai do të mbetet i pazoti për të kuptuar gruan që dashuron e, kësisoj,
thellësisht i papërmbushur dhe i dëshpëruar.