LIFESTYLE 10 Korrik 2023, 20:53

Threads zyrtarisht "rival" i Twitter, 100 milionë përdorues në më pak se një javë!

Threads zyrtarisht "rival" i Twitter, 100 milionë përdorues

Threads, aplikacioni i ri i Marck Zuckerberg, pjesë e "familjes" së Meta-s, duket se do të jetë një rival i denjë për Twitter, të paktën në afatgjatë, teksa të dhënat e reja tregojnë se ka 100 milionë përdorues në më pak se 1 javë (5 ditë). Kjo do të thotë po ashtu se Threads ka mposhtur edhe një rekord të vendosur nga aplikacioni ChatGPT i Open AI disa kohë më parë, për numrin e të regjistruarëve. 

E po flasim ende për një fazë ku platforma e re nuk është ende e disponueshme në vendet e BE, për shkak të pasigurisë mbi legjislacionin për privatësinë e të dhënave.

Në 100 milionë përdorues, që janë shifra nga platforma e të dhënave Quiver Quantitative, baza e Threads qëndron në më pak se një e treta e 350 milionë përdoruesve që Twitter besohet se ka.

Disa përdorues të Twitter janë zhgënjyer që kur miliarderi Elon Musk e bleu, teksa me mijëra vende pune janë shkurtuar nën pronësinë e tij dhe ai ka njoftuar një numër ndryshimesh për të ndihmuar në gjenerimin e të ardhurave në këtë platformë. 

Gjatë këtyre ditëve ka pasur edhe një "përplasje" mes Musk dhe Zuckerberg, teksa pronari i Tesla-s raportohet se po bëhet gati për një padi ndaj aplikacionit të ri, për "kopjimin" e Twitter dhe marrjen e të dhënave nga ai, ndërsa po ashtu ka pasur edhe ironi mes tyre në distancë, ndërsa bëhen gati të dy për ndeshjen në kafaz që kanë planifikuar të kenë. 

/News31