Teleskopi "James Webber" sjell për herë të parë imazhe spektakolare të një ylli në fund të jetës!
Imazhe mahnitëse të fazave të fundit të jetës së një ylli të largët, janë kapur nga teleskopi hapësinor James Webb (JWST) me detaje të paprecedenta që tregojnë për herë të parë si duket një trup i tillë qiellor, teksa është në prag të "vdekjes".
Fotografitë e publikuara së fundmi nga një grup austronautësh zbulojnë strukturën e gazit të ndezur në formën e një "petulle", të quajtur "Ring Nebula", ndryshe "Mjegullnaja e Unazës", një objekt i cili shtrihet rreth 2600 vjet dritë nga Toka. Kjo "nebula", ose "mjegull" u formua kur një yll që po vdiste shpërtheu pjesën më të madhe të materialit të tij në hapësirë, duke prodhuar unaza me ngjyra të gjalla, flluska që zgjeroheshin dhe re të ndërlikuara e të mprehta. Një fat i ngjashëm e pret Diellin kur të jetë në fundin e jetës, miliarda vjet nga tani.
Imazhet me rezolucion të lartë nga kamera, tregojnë jo vetëm strukturën e guaskës së jashtme, por edhe rajonin e brendshëm, rreth "xhuxhit të bardhë" qendror të saj, një yll shumë i dendur që është afërsisht sa madhësia e një planeti. Edhe pse nuk kanë të bëjnë me planetët, objekte të tilla njihen si mjegullnaja planetare. Termi është i mbetur që nga ditët e hershme të astronomisë kur shkencëtarët me teleskopë të vegjël mendonin se u ngjanin planetëve.
"Yjet si Dielli pritet që në fund të jetës të kenë formën e xhuxhit të bardhë, duke nxjerrë strukturat e tyre të jashtme, të cilat më pas formojnë nebula të bukura planetare, që ndriçohen nga struktura e brendshme, shumë e nxehtë," tha Prof Michael Barlow, profesor i fizikës dhe astronomisë në UCL, i cili drejtoi ekipin e astronomëve që nxorrën fotot.
Shiritat shumëngjyrëshe në këtë mjegull krijohen nga elementë kimikë që lëshojnë dritë në gjatësi vale të ndryshme. Duke analizuar imazhet, astronomët shpresojnë të mësojnë më shumë rreth proceseve komplekse që gjenerojnë strukturat e nebula-ve dhe ciklet e jetës së yjeve dhe elementeve që ata derdhin në kozmos:
"Ne ende nuk i kuptojmë plotësisht të gjitha proceset që ndodhin gjatë kësaj faze të ngjashme me shëndriimin nga vemje në flutur. "Nebula Ring" në Lyra është një nga mjegullnajat më të afërta dhe më të shndritshme nga këto mjegullnaja planetare dhe për këtë arsye është një objektiv ideal për JWST për të studiuar proceset në shkallë të vogël dhe në shkallë të gjerë që punojnë për të formuar strukturat molekulare me pluhur që shohim në këto imazhe."
/News31