LIFESTYLE 4 Shtator 2022, 17:35

Studim: Edhe ju keni një sozi që nuk e dini

Studim: Edhe ju keni një sozi që nuk e dini

Sipas një studimi, njerëzit që ngjajnë me njëri-tjetrin, por që nuk janë të lidhur drejtpërdrejt, duket se kanë edhe ngjashmëri gjenetike.

Sozitë duken kaq të ngjashme, madje edhe programi kompjuterik i njohjes së fytyrës e kishte të vështirë t’i dallonte nga binjakët identikë. Sipas një artikulli të CNN, tani shkencëtarët mendojnë se mund të shpjegojnë se çfarë është ajo që i bën ata të duken kaq të ngjashëm dhe mund të shpjegojnë pse secili prej nesh mund të ketë sozi.

Midis atyre që kishin këto ngjashmëri gjenetike, shumë kishin gjithashtu pesha të ngjashme, faktorë të ngjashëm të jetesës dhe tipare të ngjashme të sjelljes siç janë tymosja e duhanit apo niveli i arsimimit. Kjo hjë i lë shteg teorisë se variacioni gjenetik lidhet me pamjen fizike dhe gjithashtu mund të ndikojë në disa sjellje, zakone dhe vese.

Shkencëtarët prej kohësh mundohen të zbulojnë se çfarë është ajo që krijon sozinë e një personi. Është natyra apo formimi? Një ekip studiuesish në Spanjë, të cilët punuan për zbuluar më shumë për këtë temë, i publikuan së fudmi rezultatet e tyre në revistën “Cell Reports”.

Doktori Manel Esteller nga Instituti i Kërkimeve të Leukemisë Josep Carreras, në Barcelonë, tha se ai më parë ka punuar në kërkime që përfshinin binjakë, por për këtë projekt, ai ishte i interesuar për njerëz që duken njësoj, por nuk kanë lidhje familjare për të paktën 100 vitet e fundit.

Ai dhe bashkëpunëtorët e tij rekrutuan 32 persona me pamje të ngjashme, të cilët ishin pjesë e një projekti fotografik “I’m not a look-like!”, realizuar nga artisti kanadez, François Brunelle.

Studiuesit u kërkuan çifteve të bënin një test të ADN-së. Çiftet plotësuan pyetësorë për jetën e tyre. Shkencëtarët gjithashtu vendosën imazhet e tyre përmes tre programeve të ndryshme të njohjes së fytyrës.

Nga njerëzit e rekrutuar, 16 çifte kishin rezultate të ngjashme me binjakët identikë të identifikuar duke përdorur të njëjtin softuer. Ndërsa për 16 çiftet e tjera, që dukeshin shumë të ngjashëm me sy të lirë, algoritmi kompjuterik nuk mendonte kështu. Studiuesit më pas hodhën një vështrim më të afërt në ADN-në e pjesëmarrësve. Çiftet që programi i njohjes së fytyrës tha se ishin të ngjashëm kishin shumë më shumë gjene të përbashkëta se 16 çiftet e tjera.

“Ata ndajnë këto variante gjenetike që i bën të kenë të ngjashme formën e hundës, syrit, gojës, buzëve, madje edhe strukturën e kockave. Dhe ky ishte përfundimi kryesor që gjenetika i bashkon ato”, tha Esteller.

Më poshtë mund të gjeni foto të disa personave që nuk kanë asnjë lidhje familjare, por që kanë gjetur sozinë e tyre.