LIFESTYLE 28 Korrik 2022, 17:20

Spanja me një fushatë të veçantë dedikuar grave: “Të gjithë trupat janë gati për plazh”

Spanja me një fushatë të veçantë dedikuar grave:


Një fushatë vërtetë e veçantë është ndërmarrë nga Ministria e Barazisë në qeverinë e Spanjës, fokusi i të cilës është barazia gjinore dhe politikat që luftojnë të gjitha format e dhunës ndaj grave. Megjithatë, fushata e fundit që është cilësuar nga mediat e huaja si më interesantja e kësaj vere dhe që u bë shpejt virale kudo, ka për qëllim të inkurajojë gratë me forma dhe përmasa të ndryshme trupore ta shijojnë plazhin 100%, duke u çliruar nga komplekset e të pasurit një trup perfekt.

Slogani i fushatës është: “Vera është gjithashtu e jona” dhe në kopertinën e saj shfaqen gra të ndryshme në moshë, ngjyrë, formë dhe përmasa, teksa shijojnë diellin dhe detin.

Spanja me një fushatë të veçantë dedikuar grave:

“Shijoje siç do, ku do dhe me kë do ti!”- shkruhet po ashtu në përshkrim, ndërsa pjesë e posterit është gjithashtu një grua topless, e cila duket se i është nënshtruar operacionit ku ka hequr njërin prej gjinjve.

Ione Belarra, Ministrja e të Drejtave Sociale në Spanjë, shprehet:

“Të gjithë trupat janë gati për plazh. Të gjithë trupat vlejnë dhe ne kemi të drejtën ta shijojmë jetën siç jemi, pa ndjesi faji apo turpi. Vera është për të gjithë."

 

Qëllimi i kësaj fushate, sipas organizatorëve, është që të zbehë apo ulë ndikimin që kanë steriotipizimet tek vetëbesimi i grave dhe faktin që pritshmëritë për fizikun kanë ndikuar dhe mohuar të drejtat e tyre për të shijuar siç e meritojnë.

Megjithatë fushata ka hasur edhe kundërshtime, duke u konsideruar si absurde nga liderët e partisë në opozitë në Spanjë, të cilët janë shprehur se “po krijohet një problem që nuk ekziston.”

/News31