LIFESTYLE 26 Korrik 2022, 20:00

Lija e majmunëve emergjencë shëndetësore, sa të shqetësuar duhet të jemi?

Lija e majmunëve emergjencë shëndetësore, sa të

Përhapja e shpejtë e lisë së majmunëve bëri që pak ditë më parë sëmundja të shpallej emergjencë globale shëndetësore, që është niveli më i lartë i alarmit i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH). Kjo solli që shumë shtete, përfshirë edhe vendin tonë, të merrnin masa parandaluese, që mos të frenojnë përhapjen e virusit, i cili prej majit ka "ka ardhur" dhe në Europë. 

Sëmundja është e identifikuar fillimisht te majmunët, ndërsa transmetohet kryesisht përmes kontaktit të ngushtë me një person të infektuar. Deri në këtë vit, virusi është përhapur rrallë jashtë Afrikës, ku është endemike. Megjithatë, raportet për një numër rastesh në Mbretërinë e Bashkuar, në fillim të muajit maj, kanë sinjalizuar se shpërthimi është zhvendosur edhe në kontinetin e vjetër. Që atëherë, numri i rasteve është rritur në më shumë se 16.000 – në 75 vende, teksa deri më tani janë raportuar 5 vdekje, të gjitha në Afrikë.

Sa është e rrezikshme lija e majmunëve?

Lia e majmunëve është një virus që zakonisht shkakton simptoma të lehta, përfshirë: ethe, dhimbje dhe puçrra në lëkurë të mbushura me qelb. Sipas OBSH, njerëzit zakoinisht shërohen në një periudhë prej dy deri në katër javë. Virusin mund ta përhapë çdokush, por shpërthimi aktual jashtë Afrikës është i përqendruar pothuajse vetëm te burrat që kanë marrëdhënie seksuale me burra, pasi përhapet kryesisht nëpërmjet kontaktit intim. Por edhe në kontaktin lëkurë më lëkurë – me dikë që ka skuqje aktive, si dhe nëpërmjet kontaktit me rroba të kontaminuara ose në shtrat.

Fatmirësisht nuk transmetohet aq lehtë sa virusi SARS-CoV-2, që ka shkaktuar pandeminë e Covid-19. Rreziku i lisë së majmunëve globalisht është i moderuar, me përjashtim të Evropës, ku OBSH-ja momentalisht e ka vlerësuar atë si të lartë.

Zyrtarët shëndetësorë nga disa vende i kanë kërkuar OBSH-së që ta shpallë linë e majmunëve emergjencë të shëndetit publik, për shkak të rritjes së shpejtë të numrit të rasteve dhe shqetësimeve se mund të bëhet endemike në më shumë vende. Me shpalljen e emergjencës synohet të nxitet veprimi dhe bashkëpunimi global në gjithçka: nga testimi deri te prodhimi dhe shpërndarja e vaksinave dhe trajtimeve.

Shkalla e vdekshmërisë gjatë shpërthimeve të mëparshme të lisë së majmunëve në Afrikë – të llojit që po përhapet edhe aktualisht – ka qenë rreth 1%. Gjithsesi, deri më tani, ky shpërthim duket të jetë më pak vdekjeprurës në vendet joendemike – shumë prej të cilave kanë infrastrukturë më të zhvilluar të kujdesit shëndetësor.

Shkencëtarët po përpiqen të përcaktojnë se çfarë e ka shkaktuar valën fillestare të rasteve dhe nëse ka ndryshuar ndonjë gjë në lidhje me virusin. Një dyshim nga ekspertët është rritja e udhëtimeve globale, si dhe ndryshimet klimatike në përgjithësi, të cilat kanë përshpejtuar shfaqjen dhe përhapjen e viruseve.

Zyrtarët shëndetësorë thonë se njerëzit duhet të shmangin kontaktin e ngushtë personal me dikë që ka skuqje të veçantë në lëkurë ose që nuk ndihet mirë. Njerëzit që dyshojnë se kanë linë e majmunëve, duhet të izolohen dhe të kërkojnë kujdes mjekësor. Vaksina kundër lisë së majmunëve, tashmë e testuar dhe e zhvilluar, duhet të shpërndahet për individët me rrezik të lartë dhe për ata që kanë qenë në kontakt të ngushtë me një person të infektuar.

Kompania daneze, "Bavarian Nordic", ka miratimin e SHBA-së dhe të Evropës për parandalimin e lisë dhe të lisë së majmunëve, e aftë për të prodhuar më shumë se 30 milionë doza në vit. Ekziston edhe një vaksinë më e vjetër, e prodhuar aktualisht nga "Emergent Biosolutions", me emrin ACAM2000, por marrja e saj është kufizuar, për shkak të një paralajmërimi për efekte të rënda anësore.

Simptomat e lisë së majmunëve shpesh zhduken vetvetiu brenda javësh. Pacientët mund të marrin lëngje shtesë dhe trajtim shtesë për infeksionet bakteriale dytësore. Një agjent antiviral, i quajtur tecovirimat, ka miratimin e SHBA-së dhe të BE-së për linë, ndërsa miratimi evropian përfshin edhe linë e majmunëve. 

/News31

Burimi: REL