LIFESTYLE 21 Tetor 2022, 21:10

Historia e vërtetë pas serialit të ri tronditës të Netflix, "The Watcher"!

Historia e vërtetë pas serialit të ri tronditës të

Shtëpia e ëndrrave të një cifti kthehet në një makth total, kjo është historia me pak fjalë e serialit "The Watcher", një hit i momentit në Netflix, që ka krijuar shumë zhurmë dhe op komentohet masivisht nga audienca platformës transmetuese. Seriali me seri të limituara, nga një prej producentëve më të famshëm në botë, Ryan Murphy, bazohet në fakt në një histori të vërtetë, cka e bën edhe më tërheqëse shfaqjen televizive, por edhe shumë të tmerrshme për ta besuar.

Kështu në serial tregohet historia e Dean dhe Nora Brannock (të luajtur nga Bobby Cannavale dhe Naomi Watts), të cilët shpërngulen në një lagje periferike në New Jersey, ku besojnë se fëmijët e tyre do të jenë më të sigurtë se në New York. Megjithatë shumë shpejtë zbulojnë se kjo periferi e mbushur me njerëz të pasur, fsheh diçka të keqe. Menjëherë pasi vendosen në shtëpinë e tyre të re, çifti fillon të marrë letra kërcënuese nga dikush që e quan veten "The Watcher", pra "Vëzhguesi". Ky njeri misterioz fillon ta terrorizojë familjen në mënyra që cdokujt do t'i ngjallte frikë dhe që do bënte çdo fans të "American Horror Story" (po ashtu krijuar nga Ryan Murphy) të ndihet si në shtëpi.

Sigurisht që "The Watcher" ka të shtuara edhe elementë krijues të zhvilluara nga mendja gjeniale e Murphy-t dhe merr pak më shumë liri se ngjarja e vërtetë ku bazohet, megjithatë ta keni të sigurtë që edhe historia origjinale, mund t'ju bëjë të mendoni dy herë përpara se të nënshkruani kontratën e shtëpisë tuaj të ardhshme. Si ka ndodhur ngjarja në jetën reale, e lexoni pak më poshtë:

Kur e dërgoi The Watcher letrën e parë?

Familja Brannocks e "The Watcher" bazohet në familjen e Derek dhe Maria Broaddus. 3 ditë pasi çifti u vendos në shtëpinë e tyre në Westfield, New Jersey, në qershor 2014, bashkë me 3 fëmijët e tyre, ata morën letrën e parë nga një person që u prezantua si "Vëshguesi". Zarfi i bardhë me shkronja të mëdha i drejtohej "pronarit të ri" të shtëpisë me 6 dhoma gjumi dhe 3 banjo dhe që ishte ndërtuar në vitin 1905. Brenda letrës origjinale kishte një shënim që në fakt fillonte shumë përzemërsisht, të paktën kjo tregohet në versionin e historisë së vitit 2018 të publikuar nga "New York Magazine", që frymëzoi serialin e Netflix. Shënimi niste me: "Fqinji im i dashur i ri në Bulevardin 657, më lejoni t'ju mirëpres në lagje."

Megjithatë toni i mesazhit sa vinte e bëhej më armiqësor. Shkruesi anonim thoshte se shtëpia "ka qenë subjekt i vështrimit të familjes sime për dekada dhe ndërsa po i afrohet ditëlindjes së saj të 110-të, unë jam vënë në krye të vëzhgimit dhe pritjes së ciklit të saj të dytë. Gjyshi im e shikonte shtëpinë në vitet 1920 dhe babai im e shikonte në vitet 1960. Tani është koha ime.” Letra po ashtu vinte në dyshim nëse familja e re e dinte historinë e shtëpisë: “A e dini se çfarë ka brenda mureve të Bulevardit 657? Pse jeni këtu? Unë do ta zbuloj." Pasi kishte parë planet e familjes Broaddus, autori i letrës kishte qortuar çiftin për rinovimin e shtëpisë dhe madje kishte kërcënuar se do t'i rrëmbente 3 fëmijët e tyre": “A ishte shtëpia juaj e vjetër shumë e vogël për familjen në rritje? Apo ishte lakmi dhe doje të sillje fëmijët e tu? Sapo t'i di emrat e tyre, do t'i thërras dhe do t'i tërheq drejt meje. Mirë se vini miqtë e mi, mirë se erdhe. Le të fillojë festa.”

Të nesërmen, Derek dhe Maria (cifti i vërtetë) zbuluan se pronarët e mëparshëm të shtëpisë së tyre të re, kishin marrë gjithashtu një letër të çuditshme nga dikush që e quante veten "The Watcher". Edhe pse familja fillimisht e mori të gjithën si një shaka apo një lojë, policia e mori letrën seriozisht dhe i këshilloi Broaddus-es të mos i tregonin askujt tjetër për shënimin, veçanërisht fqinjëve të tyre të rinj që tani ishin të dyshuar.

Çfarë bëri më pas The Watcher?

Dy javë pas letrës së parë, erdhi një tjetër: “Punëtorët kanë qenë të zënë dhe unë po ju shikoj duke shkarkuar sendet tuaja personale. A e kanë gjetur ende atë që ka në mure? Me kalimin e kohës do ta bëjnë.”  Vetëm se këtë herë vëzhguesi misterioz iu referua pronarëve të shtëpisë me emër (duke shkruar gabim mbiemrin e tyre si "Z. dhe Znj. Braddus"). Derek dhe Maria u shqetësuan nga sa informacione dinte ky person për ta dhe familjen e tyre, duke përfshirë emrat dhe radhën e lindjes së fëmijëve të tyre.

Për shkak të rinovimit - dhe letrave rrënqethëse - familja ende nuk ishte zhvendosur përfundimisht në shtëpinë e tyre të re dhe "The Watcher" dukej në ankth derisa ata ta bënin këtë. Ai i pyeste në letrën e re nëse do t'i lejonin fëmijët e tyre, të cilët i quante "gjaku i ri", të luanin në bodrum: “Apo kanë shumë frikë të zbresin atje vetëm? Do të kisha shumë frikë po të isha në vend të tyre. Është shumë larg nga pjesa tjetër e shtëpisë. Nëse do të ishit lart, nuk do t'i dëgjonit kurrë të bërtasin. Bulevardi 657 është puna ime, jeta ime, obsesioni im. Dhe tani ju jeni edhe ju."

Pas letrës së dytë, Derek dhe Maria ndaluan së sjelli fëmijët e tyre në atë që supozohej të ishte shtëpia e tyre e re. Javë më vonë, ata morën një letër tjetër: "Ku keni shkuar? Ju mungon Bulevardi 657?”

A u zhvendos ndonjëherë familja Broaddus në Bulevardin 657?

Jo. Në fakt, 6 muaj pas mbarimit të punimeve ata e mbyllën pronën, edhe pse e kishin blerë për 1.4 milionë dollarë dhe e hodhën përsëri në treg. Megjithatë ata nuk ishin në gjendje të gjenin një blerës për shkak të letrave rrëqethëse, të cilat Broadduses zgjodhën t'ia zbulonin kujtdo që vinte dhe shikonte shtëpinë. Familja u përpoq ta shiste përsëri shtëpinë në vitin 2016 për 1.25 milionë dollarë, por letrat ishin të ndaluara të shiheshin nga blerësit e mundshëm. Avokati i pasurive të paluajtshme të familjes sugjeroi që ata t'ia shisnin shtëpinë një zhvilluesi i cili do të shkatërronte vendin, gjë që u refuzua si nga institucionet, ashtu edhe nga fqinjët e lagjes, të cilët pretendonin se kjo do t'i ulte vlerat pronave të tyre. 

Muaj më vonë Broaddus-es mundën ta jepnin me qira shtëpinë, por pak pasi familja e re u transferua, "The Watcher" dërgoi një letër tjetër. Ishte data 13 shkurt (2015), e njëjta ditë kur familja tashmë e terrorizuar depozitoi një ankesë ligjore kundër pronarëve të mëparshëm të shtëpisë duke pretenduar se duhet t'i kishin paralajmëruar për vëzhguesin, kur ky i fundit shkroi: "Ju pyesni se kush është The Watcher? Kthehuni nga idiotët. Ndoshta ke folur edhe me mua, një nga të ashtuquajturit fqinjë që nuk e ka idenë se kush mund të jetë The Watcher. Ose ndoshta ju e dini dhe keni shumë frikë t'i tregoni dikujt. Lëvizje e mirë.”

Letra e re ishte më agresive se 3 të mëparshmet me autorin misterioz që ankohej për vëmendjen mediatike që Broaddus-es kishin sjellë në "lagjen e tij".  "The Watcher" madje kërcënoi me hakmarrje ndaj Derekut dhe Marias, duke planifikuar vdekjen e tyre: “Ndoshta një aksident automobilistik. Ndoshta një zjarr. Ndoshta diçka aq e thjeshtë sa një sëmundje e lehtë që duket se nuk largohet kurrë, por të bën të sëmuresh ditë pas dite pas dite”. Letra e katërt dhe e fundit përfundonte me stakler-in që deklaronte: “Ju jeni dëbuar nga shtëpia. Dhe Vëzhguesi fitoi.”

A u kap ndonjëherë The Watcher?

Që në fillim, policia dyshoi se pas letrave qëndronte dikush në lagjen Westfield. Fillimisht ata besuan Michael Langford, fqinji më i afërt i Broaddus, familja e të cilit kishte jetuar atje që nga vitet '60 dhe që shihej si një person i cuditshëm. Nuk kishte shumë prova të forta kundër Langford dhe ai nuk u arrestua kurrë. Kur një hetim i mëvonshëm zbuloi se ADN-ja në zarf ishte femër, autoritetet hetuan motrën e Michael, Abby Langford, një agjente imobiliare dhe pronarin e mëparshëm të shtëpisë Andrea Woods. Asnjëri nuk përputhej me ADN. Një tjetër i dyshuar i mundshëm ishte një burrë që kishte pseudonimin në lojërat "online" "The Watcher", por edhe ai rezultoi i pafajshëm.

Ndërkohë disa njerëz në lagje thanë për "New York Magazine" në atë kohë se ishte e mundur që Broaddus-es t'i kishin trilluar letrat ose t'i kishin shkruar vetë, duke menduar se çifti kishte kuptuar se nuk mund ta përballonte shtëpinë dhe i shkruante vetë shënimet rrënqethëse për të dalë nga shitja. Disa madje sugjeruan se ata ishin mashtrues që thjesht kërkonin vëmendje dhe një marrëveshje filmi.

Ndërkohë Derek, pronari i shtëpisë që nuk e gëzoi kurrë, ka pranuar se i ka dërguar letra anonime fqinjëve të tij në Westfield, të cilët e kishin sulmuar në Facebook gati 3 vite pasi The Watcher e kishte kontaktuar. Ai shpresonte se shënimet që mbanin firmën e "Miqtë e familjes Broaddus", do ta ndihmonin të pastronte emrin e familjes së tij, por kjo vetëm e bëri të ndihej më keq. “Është si kanceri"- tha ai për New York Magazine në vitin 2018 për të gjithë ngjarjen- "Ne mendojmë për të çdo ditë." Pavarësisht një hetimi të gjerë nga policia e Westfield, The Watcher ende nuk është kapur.


Çfarë ka ndodhur me shtëpinë në Bulevardin 657?

Në verën e vitit 2019, Broaddus-es e shitën shtëpinë për 959,000 dollarë, duke rezultuar në një humbje prej 400,000 dollarësh për një shtëpi në të cilën nuk kanë jetuar kurrë. Në tetor, "The Cut" i New York Magazine raportoi se kur pronarët e rinj u vendosën, Broaddus-es u dhanë atyre një shënim përmes avokatit të tyre të pasurive të paluajtshme: "Ne nuk ju dëshirojmë asgjë tjetër përveç paqes dhe qetësisë që dikur ëndërronim në këtë shtëpi." Ata i dorëzuan gjithashtu një foto të njërës prej letrave të "The Watcher", në rast se do të mbërrinte ndonjë letër e re. Deri më sot gjithsesi nuk mbërriti asnjë letër në drejtim të tyre, 

Broadduses, të cilët u shpërngulën në një shtëpi më të vogël në Westfield, thanë për "The Sun Online" se janë të traumatizuar nga përvoja e tyre me "The Watcher" dhe po përpiqen të vazhdojnë me jetën e tyre në paqe. Ata zbuluan se seriali i Netflix, të cilin meqë ra fjala as nuk planifikojnë ta shikojnë, nuk i ka pasuruar ata, përkundrazi, as nuk i ka mbuluar humbjet e shkaktuara nga shitja e shtëpisë së tyre.

Identiteti i "Vëzhguesit" mbetet ende një mister. Pas bërjes publike të ngjarjes, Zyra e Prokurorit të Qarkut i ka kërkuar atyre që jetonin pranë Bulevardit 657 të dorëzonin vullnetarisht mostrat e ADN-së . Asnjë nga fqinjët nuk rezultoi ta kishte të njejtë me mostrën që u mor nga letrat, edhe pse një fqinj, i quajtur Malcolm Mannix, e kishte problem dorëzimin e saj. Gjithsesi kjo cështje nuk u ndoq më tej.

Hetimi mbetet joaktiv dhe sipas prokurorisë nuk ka asnjë të dyshuar kryesor. Megjithatë, çështja nuk është mbyllur. Autoritetet besojnë se i dyshuari është më i moshuar, femër dhe dikush që jeton pranë bulevardit 657, bazuar në provat e ADN-së të gjetura në zarf dhe thonë se e vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjen është nëpërmjet rrëfimit ose përputhjes së ADN-së. Por nëse "The Watcher" vendos të shkruajë përsëri, këtë herë i gjithë interneti do të lexojë. 

/News31