Historia e Jensen Huang, CEO-së që u bë 6.5 miliardë dollarë më i pasur brenda natës!

Shefi ekzekutiv i "Nvidia"-s, Jensen Huang, ka tërhequr vëmendjen e gjithë mediave (sidomos atyre financiare), teksa u bë 6.5 miliardë dollarë më i pasur brenda natës, sepse kompania e tij e softuerëve kaloi pritshmëritë e fitimeve të tremujorit të dytë të Wall Street-t, duke bërë që aksionet e saj të rriten deri në 10% të mërkurën. "Nvidia" pati të ardhura rekord prej 21 miliardë dollarësh në tremujorin e fundit, të përfunduar më 30 korrik, 88% më shumë se tremujori i parë dhe 101% nga e njëjta periudhë në 2022.
Këto shifra e kanë rritur pasurinë e Huang në 71.7 miliardë dollarë, sipas Indeksit të Bloomberg, duke e pozicionuar biznesmenin 60-vjeçar tajvanez në top 25 njerëzit më të pasur në botë. Vetëm të mërkurën vlera neto e Huang u rrit me mbi 4.5 miliardë dollarë, në një total prej 65 miliardë dollarësh, nga 60 miliardë dollarë që e kishte në fillim të kësaj jave. Pjesa më e madhe e pasurisë së Huang përbëhet nga 3.5% e aksioneve të tij në "Nvidia", teksa nga nisja e vitit deri më sot çmimi i aksioneve të kompanisë është rritur me afro 230%.
Huang themeloi "Nvidia" në 1993 në ditëlindjen e tij të 30-të për të sjellë grafikë 3D në tregjet e lojrave dhe multimedias. "Magjistari i teknologjisë" me origjinë nga Tajvani - i cili u transferua në SHBA në moshën 9-vjeçare - e themeloi gjigantin e çipave së bashku me kolegët inxhinierë Chris Malachowsky dhe Curtis Priem në një restorant në San Jose, Kaliforni, ku ai kishte punuar me kohë të pjesshme si kamarier, para se të merrte diplomën nga Universiteti Stanford.
Dhe faktin që tashmë është më i suksesshëm se asnjëherë më parë Huang po e tregon më së miri, teksa thuhet se po jeton në një rezidencë prej 59 milionë dollarësh në Pacific Heights të San Francisco-s, me gruan e tij, Lori, të cilën e takoi gjatë diplomimit në Universitetin Shtetëror të Oregonit dhe dy fëmijët, Spencer dhe Madison.
"Unë jam fjalë, literalisht," shkroi në Twitter podcast-eri i njohur i teknologjisë Ben Gilbert- “NVIDIA sapo rriti shitjet e qendrës së të dhënave me 141% në një tremujor. Bëhet fjalë për një rritje në tre muaj. Kjo është e pabesueshme".
NVIDIA.
— TradingView (@tradingview) August 23, 2023
That's the tweet. pic.twitter.com/2U2zTbuEKy
Kompania ka fituar pjesën më të madhe të të ardhurave falë "bumit" të inteligjencës artificiale, me krijimin e çipave të AI që mund të gjenerojnë tekst për chatbot si ChatGPT dhe që mund të gjenerojnë kode dhe të kryejnë njohjen e imazhit, fytyrës dhe të folurit. Çipat e inteligjencës artificiale të Nvidia-s përdoren tashmë nga Amazon, Alibaba dhe Microsoft - kompani që drejtojnë disa nga shërbimet më të mëdha të kompjuterave cloud.
Analistët kanë vlerësuar se kërkesa për çipat e çmuar të AI të Nvidia po tejkalon ofertën me të paktën 50%, duke shtuar se çekuilibri do të qëndrojë në vend për disa tremujorë të ardhshëm. Kështu, Nvidia po shpenzon shumë për të siguruar furnizim.
/News31