
Produkti

Do e mbash, nëse është vajzë?

Eshtë ditë e zakonshme jave. Rea sapo ka marrë lajmin që miqtë e saj të ngushtë presin fëmijë dhe, si çift, kanë vendosur që informacioni mbi gjininë nuk është i rëndësishëm në këtë fazë të rrugëtimit. Ndër të tjera, mikja shtatzënë ka marramendje dhe shqetësime të lehta fizike.
“Të mos interesohesh për gjininë pak e pazakontë për kulturën tonë”, ishte mendimi primar edhe i Reas, paçka se ajo jeton në kontekst modern me vlera perëndimore. Dhe pikërisht për këtë, gëzimi që Rea dhe çifti në pritje ndjejnë, tejkalon çka duhet të ishte teknikalitet - gjinia. Jetësore është që shtatzënia të shkojë e qetë, bezdisjet të kalojnë dhe bebja të vijë në jetë e shëndetshme.
Telefoni pulson sërish, është ajo. “A flet dot”?
Mikja e Reas vazhdon të tregojë sesi lumturia për shtatzëninë sikur po eklipsohet dita ditës nga pyetje dhe presione deri diku invazive nga familja e partnerit, po dhe nga nëna e saj.
Ajo tingëllon e lodhur, e fyer.
“Do e mbash edhe po nuk ishte djalë?”
“Vajzat thonë të japin të vjella”.
“Pse nuk doni të shikoni gjininë, ç’lloj moderniteti është ky?”
“Nuk e bën dot për mamanë tënde kaq gjë ti? Sot ka metoda. S’ke nevojë të bësh vajza pa fund, siç m’u desh mua”.
Në Shqipëri, diskriminimi me bazë gjinore mbetet një problem i vazhdueshëm. Ndër shumë pengesa për vendin që kjo sjell, duke filluar me prishjen e bilancit gjinor në popullsi, ky akt mbetet një shkelje e qartë e të drejtave themelore të gruas dhe nënvizon nevojën që Shqipëria të trajtojë dhe të luftojë diskriminimin me bazë gjinore në nivel politik, por edhe kulturor.
Presioni me të cilin përballet mikja e Reas aktualisht është një shembull direkt se si qëndrimet kulturore ndaj gjinisë ende ndikojnë në zgjedhjet riprodhuese. Idetë e përgjithshme janë se zonat rurale i zbatojnë këto praktika. Por për befasinë e shumë personave, sipas një studimi të kryer nga UNFPA, në 2 komunitete kryesore të pasurit e një fëmije mashkull vlerësohet shumë: në ata me vlera më tradicionale, që jetojnë në mjedise urbane dhe mes çifteve me nivel të lartë arsimimi dhe të ardhura të bollshme, që gjithashtu jetojnë në mjedise urbane.
Në 2023 aborti selektiv apo përzgjedha e seksit të fëmijës në lindje duhet konsideruar i papranueshëm dhe presioni për të abortuar fetuse F bie ndesh me parimet e barazisë dhe mosdiskriminimit, edhe më ndesh me faktin që shumica e shqiptarëve e ndjejnë veten më pranë me shoqëritë perëndimore të emancipuara, që i kanë lënë mbrapa këto praktika me kohë.
Çdo individ, pavarësisht nga gjinia, ka të drejtën e jetës dhe të drejtën për të marrë vendime për trupin e saj / tij dhe shëndetin riprodhues.
“Çfarë të bëj?” pyet me ton dëshpërues mikja Rean.
“Do kujdesesh për shëndetin tënd në radhë të parë. Në lidhje me informacionin mbi gjininë, duhet të bëni çfarë ti dhe partneri yt keni dëshirë”.
“Po nëse familjarët na mbajnë qëndrim?”
“Eshtë humbja e tyre”.
/News31