Deklarata më optimiste e viteve të fundit, OBSH mendon se fundi i pandemisë është shumë afër!
Bota nuk ka qenë asnjëherë në një pozicion më të mirë që t’i japë fund pandemisë së Covid-19 është shprehur kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë ditën e djeshme, duke dhënë kështu deklaratën më optimiste gjatë këtyre viteve kur koronavirusi është i pranishëm.
“Nuk jemi ende aty ku duhet, por fundi është afër”- tha drejtori i OBSH Tedros Adhanom Ghebreyesus për gazetarët në një konferencë virtuale.
Kjo në fakt është po ashtu deklarata më optimiste që vetë organizata shëndetësore e Kombeve të Bashkuara ka dhënë, që kur e deklaroi Covid-19 si emergjencë globale në mars të 2020. Virusi, i cili nisi të përhapej në Kinë në 2019, ka vrarë rreth 6.5 milionë njerëz në botë dhe ka infektuar 606 milionë, duke vënë në vështirësi të mëdha ekonomitë globale dhe sistemet shëndetësore.
Dalja e vaksinave dhe terapive ka ndihmuar në uljen e ndjeshme të vdekjeve dhe shtrimeve në spitale, ndërsa varianti më i fundit i koronavirusit, Omicron, është më i lehti nga ata që kemi parë deri më tani. Vdekjet nga Covid-19 javën që lamë pas, janë më të ultat nga marsi i 2020 sipas OBSH. Megjithatë në konferencën që mbajti, kreu i organizatës tha që shtetet duhet të mbajnë vigjilencën e tyre dhe e krahasoi pandeminë me një maratonë:
“Tani është koha që duhet të vrapojmë më shumë dhe të sigurohemi që do ta kalojmë linjën e fundit, që të marrin shpërblimet e punës tonë të madhe”
Shtetet sipas tij duhet të shohin me kujdes rregullat e tyre dhe t’i bëjnë ato më të forta, jo vetëm për Covid-19, por edhe për virusë të së ardhmes, ndërsa grupet e riskut duhet të jenë të vaksinuar në 100% dhe pjesa tjetër e popullsisë duhet të testohet.
OBSH gjithsesi pret që të ketë valë të reja të virusit, nga Omicron apo variante të tjera të tij, ndërkohë që me 1 milionë vikima në 2022, Covid-19 ende mbetet një emergjencë globale në shumicën e vendeve. Në muajin tetor organizata e shëndetësisë do të mblidhet për të përcaktuar nëse pandemia është ende një emergjencë në të gjithë globin apo jo.
Shumica e shteteve tani janë duke marrë masa se si ta përballojnë Covid si pjesë normale të sistemeve të tyre shëndetësore, ndërsa në Europë e SHBA janë aprovuar vaksinat më të fundit për variantin Omicron dhe vaksinat e dozave "booster". Në SHBA autoritetet e shëndetësisë do ta miratojnë edhe një herë gjendjen e emergjencës në mes të muajit tetor, të paktën kështu pritet, teksa ata besojnë se kjo do të jetë hera e fundit para se të mbarojë përfundimisht në janar të 2023.
Pra fundi duket se është afër, shpresojmë!
/News31