
Produkti

Administratat e Ushqimit dhe Barnave aprovon mishin e krijuar në laborator, mund të konsumohet normalisht nga njerëzit!

Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka dhënë për herë të parë në historinë e saj një leje sigurie për mishin e rritur në laborator. Kështu, sipas këtij vendimi, "Upside Foods", kompania që prodhon mish nga qelizat e kultivuara të pulës me bazë në Kaliforni do të mund të fillojë shitjen e produkteve të saj. Megjithatë pas lejes ë FDA-s, atyre do t'i duhet edhe të kalojnë inspektimin e Departamentit të Bujqësisë në SHBA.
Robert M. Califf, komisioneri i ushqimit dhe barnave në FDA dhe Susan T. Mayne, drejtoreshë e Qendrës së FDA-së për Sigurinë Ushqimore, personat që qëndrojnë pas këtij vendimi, ndër të tjera u shprehën:
"Përparimet në teknologji po u mundësojnë zhvilluesve të ushqimit të përdorin qelizat shtazore të marra nga bagëtia, shpendët dhe ushqimet e detit në prodhimin e ushqimit, me këto produkte që pritet të jenë gati për tregun amerikan në të ardhmen e afërt.
Qëllimi i FDA-së është të mbështesë inovacionin në teknologjitë ushqimore duke mbajtur gjithmonë si prioritetin tonë të parë sigurinë e ushqimeve të disponueshme për konsumatorët."
Ndërkohë CEO i "Upside Food", Uma Valeti, tha se mishi i pulës që kultivon “ishte një hap më afër të qënit në tavolinat e njerëzve”. Më parë ai është shprehur se procesi i realizimit të këtij mishi është "i ngjashëm me prodhimin e birrës, por në vend që të rriten maja ose mikrobe, ata rrisin qeliza shtazore". Po ashtu ai ka sqaruar se këto produkte nuk janë vegane, vegjetariane apo me bazë bimore, por mish i vërtetë, i bërë pa kafshë.
/News31