Kur të rritem dua të futem tek “Përputhen”



E keni parasysh që kur kemi qenë të vegjël, një nga pyetjet qe na bëhej më shpesh pas “Kë do më shumë mamin apo babin?”, ka qenë: “Çfarë do ti të bëhesh kur të rritesh?”. Unë flas për veten se këtu tek ne me ndryshimin e brezave ka pasur ëndrra dhe dëshira të ndryshme, por ne si fëmijë thonim futbollist sigurisht, ndonjëri që kishte përgjuar mamin dhe babin kur flisnin për të ardhmen thoshte doktor, sigurisht mund të dëgjoje dhe arkitet (ata që bënin dy vija drejtë dhe mendonin se dinin të vizatonin), e deri te këngëtarë ose balerinë.


Shumica prej nesh që kishin këto dëshira kanë përfunduar ose në ndonjë cep të botës, pra kanë “shpëtuar”, ose me diploma juridiku dhe ekonomiku, tmerrësisht të papregatitur për jetën dhe karrierën, por ky është muhabet tjetër.Gjithsesi, fëmijët e sotëm, disa adoleshentë, guxoj të them edhe disa kokrra me moshë më të madhe, tani dëshirojnë që kur të rriten të futen tek “Përputhen”.

Po, po, qoftë djalë apo vajzë, të vegjël ose disi më të rritur, ata e shohin modelin që ka sjellë “Përputhen”, të riut që mund të vi nga çdo lloj formimi apo historie dhe që bëhet i famshëm e i suksesshëm(në rrjetet sociale) brenda pak kohësh, si modelin perfekt. Personalisht kam dëgjuar biseda “tavolinash”, në kryeqytet dhe jo vetëm, ku grupe të rinjsh që pasi diskutojnë problemet dhe “hallet e jetës”, e mbyllin me një “Do futem te Përputhen fare dhe t’i vë gjërat në terezi”. Po ashtu kemi dëgjuar dhe na kanë kërkuar (mua dhe të tjerëve) njerëz në Shqipëri dhe jashtë, për mënyra si mund të aplikojmë sepse i duhet shumë që të hyjnë dhe ta provojnë. Sepse nëse deri dje ky program ishte thjesht një format që mund të të bënte të njohur momentalisht ose që të jeptë disa minuta lavdie në ekran, tani mesa duket, e kombinuar edhe me tualetin e rrjeteve sociale ku dhurohen lart e poshtë që nga breket e sutjenat tek makinat si lëmoshë, mund të të shëndrrojë në një model suksesi.

Pikërisht ashtu siç dikur ka qenë futbollisti, mjeku, arkitekti dhe të tjerët. Ndryshimi i vetëm është që për këto profesione, duhet të sakrifikoje shumë, qoftë fizikisht apo mendërisht dhe nëse nuk do kishe pasion nuk kishe për t’i arritur. Tani mjafton të kesh pasionin që të bëhesh pjesë e një programi ku thjeshtësinë tënde deri në patetizëm dhe ndonjëherë edhe injorancën, mund ta përdorin për ta bërë pjesë të skenareve kaq shumë të komentuar, edhe ja…

Unë shpresoj që kur të rriteni sa më pak nga ju të futen tek “Përputhen” sepse siç po e shihni Covid-19 po e shërojnë doktorët, pallatet në Tiranë po i ngrenë inxhinierët dhe Shqipërinë, nëse shkon ndonjëherë përpara, do e bëjnë profesionistët. Në këtë program suksesin më të madh të jetës do ta keni që u bëtë disa herë “meme” dhe organizuat disa giveaway.

Të paktën, për të qenë i sinqertë deri në fund, të paktën “Përputhen” i ka bërë që të mos thonë më “Kur të rritem dua të merrem me drogë…”

Nga Kejvin Kalo

/News31