Kryeministri Rama flet për arsimin: "Kur fëmija i një VIP-i s’e meriton të hyjë në universitet, nuk futet"
Ditën e sotme, gjatë prezantimit të programit të Partisë Socialiste për arsimin, kryeministri Rama ka deklaruar se me ardhjen e PS-së në pushtet 8 vite më parë, hyrja në Universitet është bazuar mbi meritokracinë. Kreu i qeverisë tha se ndryshe nga koha e qeverisjes së PD, sot askush nuk i lëviz dot mësuesit nga vendi i punës për dikë me lekë apo me mbiemër të njohur. Po ashtu ai theksoi se e njëjta gjë ndodh edhe me nxënësit që nuk mund të hyjnë në Universitet, vetëm se janë fëmijë politikanësh apo VIP-ash.
Nga ana tjetër Rama tha se PS e ktheu drejtimin e arsimit profesional, duke i quajtur programet profesionale prioritet kombëtar dhe bëri me dije se do i çojnë në një nivel tjetër në mandatin e tretë.
Pjesë nga deklarata e Ramës:
“Askush sot nuk i lëviz dot mësuesit që vendin ta zërë dikush me lekë apo me një mbiemër të njohur. Jam shumë krenar që kur fëmija i një VIP-i nuk e meriton të hyjë në universitet nuk ka shans të hyjë. Apo kur del mbrapa fëmijës së një çobani, nuk ka shans ta parakalojë. Pasi sistemi i hyrjes në Universitet është i pamanipulueshëm. Ka shumë si këta që u hodhën përpjetë kur ne imponuam këtë sistem të ri hyrës. Asnjë ankesë nga të interesuarit, nga maturantët fitues. Nuk ka kënaqësi më të madhe se sa të shohësh kur fëmijët e republikës nuk ndahen më në të pasur dhe të varfër dhe hyjnë në auditore vetëm me forcat e tyre. Nuk ka forcë që e ndalon këtë.
Nuk hyjnë në auditore vitrinash të rreme apo kristalesh false, por në universitete të akredituar ndërkombëtarisht. Sot kemi hyrë në fazën e hapjes së programit të studimit sipas nevojave të tregut. Shqipëria duhet t’i japë të rinjve një perspektivë punësimi. Ne e kthyem drejtimin e Arsimit profesional dhe e bëmë këtë në kushtet kur arsimin profesional e gjetëm në varr. Programet profesionale janë me prioritet kombëtar dhe do i çojmë në një nivel tjetër. Shqipëria do mbushë boshllëkun e frikshëm që krijuan vitet jo shumë të largëta”,
/News31
Buriimi: Opinion