OPINIONS 9 Nëntor 2018, 00:00

Kronikë e paralajmëruar prej një marrëveshjeje të keqe

Një shkrim nga Viliem Kurtulaj Ngjarja që ndodhi në Bularat të Gjirokastrës, e cila përfundoi me vrasjen e Kostandin Kacifës, dhe manifestimet antishqiptare të ndodhura atje gjatë varrimit të tij, nuk duhet të jenë fare të papritura apo befasuese. Nuk duhet të jenë sepse marrëveshjet e këqija sjellin gjithmonë probleme. Rast i tillë është dhe marrëveshja e varrezave të ushtarëve grekë të rënë në territorin e Republikës së Shqipërisë. Kjo marrëveshje nuk është gjë tjetër veçse një formë e pastër trysnie dhe manipulimi e shtetit grek kundrejt shtetit shqiptar. Në trojet shqiptare kanë rënë ushtarë romakë, bizantinë, serbë, grekë, bullgarë, malazezë, osmanë, italianë, gjermanë, etj. Ç’do ndodhte nëse të gjithë shtetet respektive do kërkonin të tilla varreza për ushtarët e tyre?! Kuptohet që një gjë e tillë ka pak gjasa të ndodhë pasi nuk janë të gjitha shtetet Greqi. Ka shtete që sillen me dinjitet në politikën e jashtme dhe nuk e kanë shovinizmin pjesë të agjendës së tyre. Mirëpo, pas lejimit të ngritjeve të varrezave të ushtarëve grekë në Shqipëri, secili nga këto shtete ka të drejtë të kërkojë varreza për ushtarët e tyre në këtë territor. Do ishte në fakt e pandershme nga ana jonë nëse do lejonim vetëm varrezat e ushtarëve grekë dhe do i refuzonim të tjerët. Të gjithë këta ushtarë e kanë dhënë jetën e tyre nën të njëjtin status, të gjithë kanë rënë si pushtues. Ushtarët grekë, pasi morën Korçën në luftën Italo-Greke, ngritën në mes të qytetit flamurin grek si shenjë e pushtimit të tij. Një pyetje që ngrihet krejt natyrshëm është: Ç’punë kishin ushtarët grekë në territorin e një shteti tjetër duke luftuar, dhe kundër kujt e dhanë jetën? Shumica e ushtarëve grekë të rivarrosur në Bularat, e dhanë jetën duke luftuar kundër ushtarëve italianë. Po varrezat e ushtarëve italianë të rënë në këtë luftë ku janë? Ushtarët italianë të rënë në territorin shqiptar janë zhvarrosur nga varret e tyre në Shqipëri me respekt dhe ceremoni, dhe janë rivarrosur në Itali. Që nga viti 1949 Konventat e Gjenevës e shprehin qartë që ushtarët e rënë në luftë si pushtues në një territor tjetër, në momentin kur vriten, ata varrosen në atë territor ku janë vrarë, dhe pas mbarimit të luftës rivarrosen në atdheun e tyre. Pikërisht kjo praktikë është ndjekur me ushtarët italianë të rënë në Shqipëri. Ndërkohë, në dy dekadat e fundit mijëra ushtarë amerikanë kanë rënë në luftërat e Lindjes së Mesme.Të gjithë ata sot prehen në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit në Washington. Rasti i varrezave të ushtarëve grekë në Shqipëri është edhe më i papranueshëm sepse zhvillohet në rrethanat ku shteti grek është në borxh kundrejt shtetit shqiptar për një çështje të tillë. Shqiptarët e masakruar, të vrarë, dhe të varrosur në varre masivë në Çamëri duhet të ishin të parët që të kishin varreza përkujtimore në territorin e Greqisë. Duhet të ishin të parët, sepse ata nuk u vranë duke luftuar si pushtues. Shumica e tyre ishin civilë dhe u vranë nga ushtria greke vetëm se ishin shqiptarë. Duke qenë se marrëveshja për varrezat e ushtarëve grekë në Shqipëri, është ngritur në përputhje me asnjë lloj konvente ndërkombëtare apo ligji të Republikës së Shqipërisë, të paktën një marrëveshje e tillë duhej të ngrihej mbi parimin e reciprocitetit. Kjo do të thotë, varreza në Greqi për shqiptarët e Çamërisë të vrarë nga ushtria greke dhe varreza për ushtarët grekë në Shqipëri. Kjo marrëveshje gjithsesi do ishte e padrejtë por të paktën do kishte një bazë parimore. Ndërsa një marrëveshje e ndershme dhe e drejtë midis dy shteteve në lidhje me këtë çështje do ishte: varreza për shqiptarëte Çamërisë në Greqi dhe një përkujtimore për ushtarët grekë të rënë në Shqipëri. Një marrëveshje e tillë sigurisht që nuk do pranohej kurrë nga Greqia sepse për ta pranuar tjetrin kur ka të drejtë duhet të jesh një shtet fisnik, e Greqia nuk është.