"Krimineli u 'vesh' si viktimë", babai i Klodian Rashës reagon pas dënimit të ish-efektivit që i vrau të birin
Gjykata e Tiranës ka dënuar sot me 10 vite burg ish-efektivin e policisë Nevaldo Hajdaraj për vrasjen e 25-vjeçarit, Klodian Rasha. Jashtë dyerve të gjykatës babai i tij, Qazim Rasha, ka thënë se kjo nuk është drejtësi. Sipas tij, gjykimi i shkurtuar u dha me një "të rënë të lapsit", ndërsa vijoi deklaratën duke thënë se arriti deri aty sa viktima mori pozicionin e kriminelit dhe krimineli u vesh me petkun e viktimës. “Do vijë momenti që do t'i themi ca gjëra. Dua t’ju falënderoj ju nga zemra për punën fisnike që keni kryer që nga dita e parë deri tek dita e sotme. Falë jush shumë gjëra morën rrugë, pavarësisht inskenimeve që u munduan me të gjitha format. Falenderoj çdo person që ka trokitur në derën time nga dita e parë deri sot në ditën e 216, falënderoj çdo qytetar që mbushën sheshet. Ardhja ime që nga dita e parë ka qenë jo krejt pa domethënie. Ishte një makabritet që e kreu një sekt që çdo lloj epiteti mund të vendosësh vetëm epitetin njeri jo. Ai për të cilin paguan taksa, një lloj huligani, padrejtësisht vret një djalë i ri në rrugicën e shtëpisë së vetë. Pavarësisht alibisë, ngjarjes, tragjedisë, arriti deri aty sa viktima të marrë pozicionin e kriminelit dhe krimineli me petkun e viktimës", është shprehur ai.
Më pas ka vazhduar: "Është një ngjarje që ka tronditur jo vetëm themelet e familjes sime, por të mbarë shoqërisë, por edhe shtetit. Kjo njollë e zezë nuk do i hiqet. Mesazhi im një, fëmija im iku, u varros, por fëmija juaj, gjaku është njëlloj si i të gjithëve. Mendoja që me këtë rast të shërbejë një shembull për këta që janë gjallë, të shërbejë si simbolikë që edhe ju kini kujdes ruajini fëmijët tuaj. Si mund ta quash drejtësi, kur çdo gjë është e qartë dhe me një të rënë të lapsit i jep gjykimin e shkurtuar. Mendoj dhe besoj tek drejtësia e re që po ngrihet. Unë e kam kërkuar drejtësinë që ditën e parë, por me këtë lloj drejtësie nuk besoj se mund ta gjej as unë, askush”. /News31
https://youtu.be/_8ZZZ09bzPE