Kënga që na ka fiksuar të gjithëve! Muma zbulon gjithçka për “Pa ty”



Këngën e tij “Pa ty” e kemi dëgjuar pa dyshim kudo, e ka qenë ‘fiksimi’ i muajve të fundit. Për të folur për këtë hit, për bashkëpunimin e tij të fundit e shumëçka tjetër, Muma ka qenë i ftuar në emisionin “Pardon My French”, nën moderimin e Jonida Aliçkollit dhe Kejvin Kalos.





I pyetur për dy versionet e këngës “Pa ty”, artisti tha: “Me Dafinën është një masterpiece, një high class, por origjinali ka diçka që nuk e ka me Dafinën, dhe versioni tjetër ka diçka që nuk e ka origjinali. Me Dafinën është më e plotësuar, ka zërin e femrës… Plus Dafina, stili, vibe…” , duke shtuar se ka rastisur artistë dhe fansa që kanë pëlqyer më tepër versionin origjinal, dhe të tjerë versionin me Dafinën.






Edhe pse një këngë shumë e ndjerë, Muma zbuloi se nuk është dedikim për dikë. “Jo. Me thënë të drejtën nuk ia dedikoj askujt këngët e mia. Mendoj që njerëzit që janë tradhtarë nuk e meritojnë një këngë të bukur… Është fryt i fantazisë sime”, tha artisti.

Tani Muma po korr sukses kudo, mirëpo dikur nuk ka qenë kështu, dhe pagat kanë qenë më të ulëta. Ai ka zbuluar se më e ulëta ka qenë 100 mijë lekë, që ia ka dhënë Kledi Bahiti për këngën e Erik Lloshit, mirëpo ai gjithsesi nuk heziton të shprehë mirënjohjen, duke qenë se ka qenë paga e tij e parë si tekstshkrues. Ai e konsideron vlerësim, pasi siç vetë pohon, dikur ka shkruar tekste, edhe pa marrë asgjë në këmbim.

Ndërkohë, Mumën nuk e shohim shpesh nëpër dalje televizive, dhe e ka një arsye, të cilën e ka rrëfyer në intervistën për Jonidën dhe Kevin. “Emisionet televizive më kanë krijuar antipati, janë konsum imazhi. Dikush bën një libër dhe ftohet në emision. Nuk ka ngelur askush pa dalë në televizion… Një artist pa media është zero. Unë jam person që jam pak detajist dhe kur shikoj gjëra të tilla s’më pëlqejnë… Më duket sikur nuk e respektoj aq sa duhet veten prandaj iu shmangem televizioneve…”, tha ai, ndryshe nga shumë kolegë të tij.

Së fundmi, ai ka publikuar këngën e titulluar “Për tradhëtinë”, në bashkëpunim me Elinel, për të cilin tha se është një nga reperët e preferuar të tij dhe se e vlerëson shumë edhe në jetën personale.

Sa i përket jetës private, Muma u shpreh se është single për momentin, ndërkohë që, zbuloi se në flirtin me vajzat kosovare, e ndihmon dialekti nga Shqipëria.

/News31