Si sot një vit më parë…tështima nuk ishte ende armë kimike!



*Nga Kejvin Kalo


 

Si sot një vit më parë, pasi kishim ngrënë përsheshin me gjelin e detit dhe qëndronim shtrirë në divan me barkun e një gruaje në muajin e 5-të të shtatzënisë, nuk e kishim menduar qê realiteti ynë do të kthehej përmbys nga një gjë më e vogël se durimi i një të riu mesatar shqiptar kur çon mesazhet për Vitin e Ri të gjithë listës së kontakteve te telefoni i babit.

Si sot një vit më parë askujt nuk i shkonte nëpër mend që një virus i krijuar ose jo (por me siguri i krijuar) në Wuhan të Kinës do të detyronte gjithë botën, që ka çuar njerëzit në Hënë dhe të zhvillojë nanoteknologjinë, të kthehej në metodat e mesjetës dhe ta luftonte pandeminë si murtaja, duke i detyruar shkencëtarët të ndihen më të pafuqishëm se një mashkull me temperaturë 37 gradë.

Si sot një vit më parë, kur mendonim që 2020 do ishte viti më spektakolar, as nuk e kishim imagjinuar që lutjet tona do të ktheheshin nga dëshira për realizimin e planeve madhështore dhe udhëtimeve, tek shëndeti për familjen dhe mundësia për të përqafuar me 5 sekonda gjyshin dhe gjyshen, dashurinë e të cilëve e kishim marrë si të sigurtë gjatë gjithë kësaj kohe.

Si sot një vit më parë ishim fare afër momentit kur do ta kuptonim më qartë se kurrë më parë se nuk ma vend më të sigurtë se shtëpia, por edhe se kishim harruar të ishim mirënjohës për bekimet tona. Çdo sekondë që kalonte na afronte më shumë me skenat që shihnim televizoreve dhe dukeshin si nga një planet tjetër, por kur mbërritën shëndrruan edhe ata më skeptikët në besimtarë kovidianë.

Si sot një vit më parë mjekët ishin thjesht mjekë, ndërsa tani, bashkë me ata që kanë qenë në krye të detyrës papushim për të na e bërë jetën më të thjeshtë, janê heronj. Jo se i shndërroi koronavirusi, por qe ai që na solli me këmbë në tokë.

Si sot një vit më parë vaksina ishte një term qê hidhej vërdallë vetëm nga prindërit e rinj, tani është shpresa për rikthimin në një jetë normale, teksa ekspertët dhe “mëndjeshitësit” e rrjeteve social duket sikur kanë nisur të kuptojnë që shkenca nuk ndërtohet nga mendimet dhe opinionet.

Si sot një vit më parë “vêshtirë është për të gjithë” nuk ishte refren e çdo bisede që bëhet në tavolina, kafeje apo pune. Po ashtu nuk gjeje askënd që të ishte mirënjohës që mund të nuhaste, shijonte apo që mund të merrte frymë lirisht.

Si sot një vit më parë liria ishte liri, kufizimet vetêm term matematikor dhe maskat mbaheshin stok në klinikat dentare, pa asnjë lloj ideje se do bëheshin më të famshme se buka me ulli.

Si sot një vit më parë valët e muzikës nuk ishin të rrezikshme, kishim hapsirë për t’u menduar nëse na ftonin për të dalë, blogeret nuk sugjeronin libra dhe Bricjapët po pregatiteshin për më shumë lekë duke qenë se ishte vitit i tyre.

Si sot një vit më parë hymë në dekadën e re, në dekadën kur tështima është kthyer në armë kimike dhe puthja si dënim me vdekje.

Tani, një vit më vonë, duket sikur një vit më parë ishte dje ose para 10 vitesh dhe koha që kaloi është një hapsirë konfuze ku barsaletën me një shqiptar, italian dhe amerikan, e fitoi kinezi… dhe Elvis Naçi…