Javën e dashurisë duhet ta nisni me “Pusulla Dashurie”



Java e dashurisë tek botimet “Pegi” nis me librin e Cecelia Ahern, “Pusulla dashurie”, romani që do duhet ta lexoni patjetër në prag të Shën Valentinit.


Si do ta përshkruanim librin me një fjali?
Edhe në çastet e mbrame, njeriu gjen lumturinë në dashurinë e të shtrenjtëve të vet.

Informacion i përgjithshëm rreth “Pusulla Dashurie”

Ata që e kanë dashuruar romanin “P.S. Të dua”, kanë pritur me ankth vijimin e historisë së Olit dhe tashmë, “Pusulla dashurie” është në duart e tyre. Mallëngjyes dhe shpresëdhënës, ky vijim i mrekullueshëm do të na rrëfejë për udhën e re që ndërmerr Oli drejt zbulimit të vetes. Kanë kaluar shtatë vjet që nga humbja e bashkëshortit dhe ajo ka gjetur më së fundi pakëz qetësi. Tani që ka një punë të re dhe një njeri i veçantë është bërë pjesë e jetës së saj, është plotësisht e vendosur që ta hedhë të shkuarën pas krahëve dhe të shohë përpara, vetëm përpara. Por teksa zbulon që historia e letrave të Xherrit ka frymëzuar lindjen e një shoqërie të çuditshme, të quajtur pikërisht “P.S. Të dua”, kujtimi i çasteve më të dëshpëruara kanoset ta përfshijë sërish në kthetrat e trishtimit. Vetëm pasi pranon të ndihmojë anëtarët e shoqërisë “P.S. Të dua” për t’u dhënë lamtumirën e fundit njerëzve të tyre të shtrenjtë, ajo do të kuptojë se çfarë dëshiron në të vërtetë. Kështu do të zbulojë kuptimin e njëmendtë të fjalëve “kujtim”, “e shkuar”, “dashuri”. Dhe mbi të gjitha “e ardhme”. Pesëmbëdhjetë vjet pas “P.S. Të dua”, historia e Olit pasurohet me një kapitull të ri.

Kritika

Një histori e mrekullueshme, mallëngjyese dhe e mbushur me shpresë, që
me siguri do t’i përlotë lexuesit por do t’u ngrohë dhe zemrat./ Irish Indipendent

Prekës, plot humor… një libër që i thotë po jetës. Ahern shkruan me
sinqeritet dhe empati./ Irish Times

Një libër që eksploron një prej ndjenjave më themelore të përvojës
njerëzore, me ngrohtësi, humorizëm dhe pasion./ Sunday Indipendent

Autorja
Cecelia Ahern është diplomuar për Gazetari dhe Komunikim. Në 2004, në moshën 21-vjeçare shkroi romanin e saj të parë “P.S. Të dua”. Qysh atëherë ka shkruar 17 romane. Në 2019, erdhi dhe vijimi i “P.S. Të dua”, “Pusulla dashurie”. Deri më sot, librat e Cecelia-s kanë shitur më shumë se 25 milion kopje në mbarë botën dhe janë botuar në mbi 40 vende, në 30 gjuhë.
Librat e saj janë bërë gjithashtu pjesë e kinemasë, duke filluar që nga romani i saj i parë, ekranizuar me të njëjtin titull, me aktoren Hillary Swank.

Fragmente nga libri

1) Nuk besoj se do të vijë dita që s’do të të dua më. Sa më pak jetë më mbetet, aq më shumë të dua, a thua se të gjitha hapësirat e zbrazëta brenda meje po mbushen me dashuri.

2) Ndihem krenare për këtë që po bëj. Nuk më kredh aspak në dëshpërim, siç besonin të tjerët dhe unë vetë në fillim. Të kthesh kokën pas, të kthehesh pas në kohë, nuk është dobësi. Nuk t’i rihap
plagët. Nevojitet forcë, nevojitet kurajë. Që të arrish të hedhësh një vështrim të paanshëm, aspak gjykues, mbi atë që ke qenë dikur, duhet të jesh njeri tejet i sigurt në vetvete. Nuk kam as më të voglin dyshim se ky kthim prapa do të më japë flatra, jo vetëm mua, por edhe të gjithë atyre që janë prekur nga historia ime.

3) Papritur gjeta një forcë të re brenda vetes, e gjeta në fund të një vendi të errët e të shkretë, ama e gjeta. Dhe, për fat të keq, pikërisht ky është vendi ku gjejmë shumicën e thesareve të jetës. Pasi gërmojmë deri në rraskapitje nëpër vende të errëta e plot llumë, ndeshim më në fund diçka të fortë. Unë zbulova se tabani i ngurtë mund të shndërrohet në sustë kërcimi.

/News31