Drejtuesit fetarë në Shqipëri preken nga Covid-19, të gjithë dërgohen jashtë vendit për kurim
Edhe pse pretendohet se në vendin tonë trajtimi që ofrohet për Covid-19 është i të njejtit nivel si me vendet e tjera europiane, drejtuesit fetarë në Shqipëri, të cilët ditët e fundit janë prekur pothuajse të gjithë nga koronavirusi, kanë zgjedhur që të kurohen në spitalet e shteteve të tjera.
Po flasim për drejtuesit e besimeve kryesore fetare: kryepeshkopin e Kishës Ortodokse Autoqefale në Shqipëri, Anastas Janullatos, Arqipeshkvin e Tiranë-Durrësit, George Fendo dhe Myftiun e Shkodrës, Muhamed Sytari. Ata janë nisur për të marrë mjekim të specializuar respektivisht në Greqi, Itali dhe Turqi, ndërkohë që dihen pak detaje nga gjendja e tyre shëndetësore.
Anastas Janullatos në Greqi.
3 ditë më parë kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale në Shqipëri, Anastas Janullatos, u dërgua me urgjencë me avion ushtarak drejt Greqisë, për trajtim më të specializuar ndaj Covid-19. Mediat greke kanë bërë me dije se kryepeshkopi 91-vjeçar, ka simptoma të lehta por kryeministri grek ka kërkuar që ai të merrte trajtim të specializuar në një klinikë në Athinë. Gjë që është konfirmuar sot edhe nga një postim në rrjetet social të Kishës, ku ndër të tjera shkruhet:
"Kryepiskopi vazhdon me simptoma të lehta dhe merr urime të shumta për shërim të shpejtë. Gjendja shëndetësore e Kryepiskopit Anastas këto 4 ditë vazhdon të jetë me simptoma të lehta, e qëndrueshme dhe nën kontrollin e vazhdueshëm dhe të përkushtuar të mjekëve."
George Frendo në Itali
Mbrëmjen e së enjtes Arqipeshkvi i Tiranë-Durrësit, George Frendo, ka udhëtuar drejt Barit, për t’u kuruar nga koronavirusi, teksa monitorohej prej ditësh nga mjekët në Shqipëri. Imzot Frendo është shtruar në Spitalin Miuli të “Acquaviva delle Fonti”. Pak minuta më parë ka pasur një lajm të mirë për gjendjen e tij shëndetësore:
"Ipeshkvi Ndihmes Imzot Arjan Dodaj na bën me dije se ka pasur sot nje video-telefonatë me Arqipeshkvin Imzot George Frendo dhe shefin e repartit ku ndodhet i shtruar. Nga sot Imzot Frendo ka kaluar në një nga repartet normal të Covid. Situata shendetësore e Imzot Frendos është shumë stabël dhe po mbahet nën monitorim për mushkëritë, e nevojshme që kjo terapi të stabilizohet për ta kthyer në mënyrë të shëndetshme nga prania e virusit. Situata është shumë e qetë. Imzot Frendo është shprehur se mezi pres të kthehem në Arqidioqezë (Tiranë) për t’iu rikthyer aktiviteteve dhe jetes baritore."
Muhamed Sytari në Turqi
Këtë mëngjes u raportua se gjendja e Myftiut të Shkodrës, Muhamed Sytari, është përkeqësuar. Ai ka rezultuar pozitiv me Covid-19 disa ditë më parë, ndërsa këtë të shtunë u vendos të dërgohet me urgjencë për mjekim të specializuar në Turqi. Më herët drejt këtij shteti u dërgua edhe babai i tij, i cili gjithashtu është i prekur nga koronavirusi.
Kujtojmë se situata e pandemisë në vendin tonë vijon të jetë shqetësusese, me shifra të larta të të infektuarve dhe viktima që raportohen çdo ditë. Ditën e djeshme Ministria e Shëndetësisë njoftoi se ishin regjistruar 490 raste të reja dhe 7 vdekje si pasojë e Covid-19.
/News31
Burimi: Hashtag