“Do t’ju shfarosim, duhet të digjeni”. Të jesh gay në Tiranë, nuk është e lehtë!
Çfarë do të thotë të jesh një çift gay në kryeqytet? Kësaj pyetjeje i është përgjigjur emisioni “Ora e Tiranës” sot, ku përmes një historie personale ka treguar se çfarë do të thotë të jesh gay në kryeqytetin e shqiptarëve, Tiranë.
Renaldo dhe Kevan, 22 vjeç dhe 26 vjeç, për herë të parë në një media shqiptare, kanë treguar 24 orë nga dita e tyre. Kevan është nga Amerika dhe prej 3 vitesh jeton në Tiranë. Ai u njoh me Renaldon përmes rrjeteve sociale dhe tashmë të dy jetojnë të lumtur bashkë.
Dita e tyre e zakonshme, që nga mëngjesi kur kujdesen për lëkurën e deri në mbrëmje, ku shohin seriale televizive, nuk është gjithnjë shumë e thjeshtë dhe e bukur.
Sipas Renaldos, disa herë ata i kanë kërcënuar me mesazhe të tipit; “Do t’ju shfarosim, duhet të digjeni”. “Jeta jonë është me të vërtetë në rrezik. Kam dëgjuar e parë me sytë e mi se si pranë sheshit “Skënderbej” kanë rrahur keq një djalë që shoqërohej me një pjestar të komunitetit LGBT.”- ka thënë Renaldo.
Ndërsa Kevan, ka shtuar;
“Mendoj që për Shqipërinë është e vështirë duke qenë se është vend shumë i vogël dhe të gjithë flasin me njëri-tjetrin. Njëherë pata një diskutim me një person që nuk e dinte që unë isha gay dhe e kishte të pamundur ta perceptonte se një person me ngjyrë mund të jetë edhe gay, pasi këto të dyja sipas atij nuk përputheshin me njëra-tjetrën. Unë thjesht po rrija dhe po e dëgjoja. Ishte deklarata më injorante që kisha dëgjuar ndonjëherë.”
Psikologu Edmond Dragoti dhe Aktivistja Iris Luarasi, kanë qenë në një mendje, duke pranuar se të jesh gay në Shqipëri, sidomos në rrethinat dhe periferi është një problem i madh pasi shoqëria shqiptare është ende agresive, çka bën që ata që dalin hapur të vuajnë, e po aq të vuajnë edhe ata që nuk e kanë pranuar publikisht homoseksualitetin. /News31