Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka reaguar ditën e sotme pas deklaratës së ish-kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, i cili paralajmëroi referendum për bashkim me Shqipërinë në se rast se vendi i tij do të vijojë të mbetet jashtë BE-së
Në reagimin e tij, Vuçiç është shprehur i shqetësuar për këtë deklaratë, madje duke thënë se krijimi i Shqipërisë së Madhe është kërcënim jo vetëm për Serbinë, por për të gjithë Europën. Presidenti serb theksoi se deklarata e Haradinaj duhet shqyrtuar në mënyrë shumë serioze, pasi sipas tij ai është politikan serioz, i fuqishëm dhe i rrezikshëm.
“Nëse ai zgjidhet në ndonjë funksion dhe nëse bashkëpunon me Kurtin është e qartë se ata të dy angazhohen për bashkim. Ne këtë e pranojmë si fakt politik, prandaj do të guxojmë të reagojmë. Krijimi i “Shqipërisë së Madhe” është kërcënim për Serbinë dhe BE-në”, ka thënë Vuçiç, i cili po ashtu tha se pret reagime edhe nga Brukseli:
“Do të doja të dëgjoj më shumë reagime nga Brukseli dhe Washington-i dhe qendrat tjera e fuqishme botërore, sepse mos dhashë Zoti këtu tek ne dikush të thoshte diçka të tillë, mos të them do na bombardonin.”
Ish-kryeministri i Kosovës i bën thirrje Presidentit të Serbisë që të mos ketë frikë pasi Kosova po kërkon vetëm atë çka i takon:
“Nëse ju dhe të tjerët dëshironi ta shmangni një referendum mbi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë në vitin 2025, ka një mënyrë shumë të thjeshtë: Serbia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur.”
Reagimi i plotë i Haradinaj:
Për sa kohë i dukem i rrezikshëm Aleksandër Vuçiqit dhe Serbisë, jemi në rrugë të drejtë!
Mos keni frikë, z. Vuçiq. Nuk keni nevojë të jeni nervoz. Kosova vetëm po e kërkon atë që i takon.
Nëse ju dhe të tjerët dëshironi ta shmangni një referendum mbi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë në vitin 2025, ka një mënyrë shumë të thjeshtë: Serbia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur.
Tutje, Kosova e di rrugën e saj drejt anëtarësimit në NATO, BE dhe OKB. Me retorikë histerike nuk do të na ndaloni në të drejten tonë për të definuar të ardhmen e Kosovës.
Të gjithë duhet ta dinë që deklarata dhe betimi im për bashkim me Shqipërinë vjen si rezultat i neglizhencës së vazhdueshme të Brukselit në lidhje me Kosovën. Kosova dhe qytetarët e saj janë më pro-perëndimorët dhe si të tillë nuk e meritojnë të përbuzen, injorohen dhe kushtëzohen në pafundësi!”
/News31