Greqia miraton masat e reja kufizuese, dy qytete në izolim të plotë
Rritja e numrit të rasteve ditore dhe viktimave me Covid-19, ka detyruar edhe Greqinë që të ashpërsojë masat. Qeveria greke ka vendosur që Selaniku dhe qyteti verior i Serres të hyjmë në izolim të plotë.
Në vendimin e qeverisë së vendit fqinj thuhet:
Nuk lejohet qarkullimi nga ora 21.00-05.00, rikthehet qarkullimi i kufizuar dhe me mesazh sms.
Mësime me platforma elektronike për nxënësit e gjimnazit (liceut grek) dhe universitetet, do të qëndrojnë hapur shkollat fillore deri në klasën e 9-të. Lejohet udhëtimi me makinë ku brenda të jetë shoferi dhe një pasagjer. Lejohen edhe fëmijët në makinë nëse justifikohet prezenca e e tij.
Ndalohet qëndrimi në ambjente të jashtme, përveç veprimeve të detyrueshme dhe madhore, të përcaktuara me sms paraprakisht. Arsyet e lejuara janë:
-Vizitë në mjek ose farmaci, për çështje shëndetësore
-Blerje dhe pajisje me ushqime dhe sende në super-market
-Lëvizje drejt punës, me dokument nga punëdhënësi
-Shërbime të sektorit publik, që nuk kryhen me platforma elektronike
-Ushtrim fizik me orar të kufizuar, shëtitje e kafshëve shtëpiake
-Vizitë tek njerëz në nevojë, të moshuar etj
-Pjesëmarrje në ceremoni (varrime etj.) siç parashikohet rregullorja në vendimin e mëparshëm, me distancë dhe numër të kufizuar pjesëmarrësish.
-Ritualet fetare kryhen në kisha pa besimtarë, në varrime lejohen deri në 9 të pranishëm.
Ndalohen fluturimet drejt dhe nga Selaniku, përveç për arsye madhore, të justifikuara me dokumentacion.
Ndalohet qarkullimi jashtë Selanikut dhe Seres, me tren, autobus, apo automjete private, përveç për arsye madhore apo kategori të caktuara, si mjekët, ushtarakët, diplomatët, Frontex.
Ndërkohë do të lejohen të funksionojnë si normalisht: Tregëtia me shumicë, industria, hotelet dhe kopshtet dhe shkollat fillore deri në klasën e 9-të.
Zëdhënësi i qeverisë helene nuk e ka përjashtuar mundësinë e një izolimi të plotë të Greqisë, nëse nuk ka ulje të shifrave, ndërkohë që nëse masat e mini-izolimit në Athinë nuk e përmirësojnë situatën, parashikohet zgjerim i vendimit edhe për këtë rajon.
Nga sot ka hyrë në fuqi një mini-izolim në kryeqytetin grek si dhe zonat e konsideruara të rrezikshmërisë së lartë. Ndryshe nga Selaniku, Serra dhe qytetet e tjera të veriut, në Athinë kufizimet për momentin janë akoma të lehta, me qarkullimin që ndalohet vetëm në orarin 24.00-05.00.
Masat që zbatohen atje nga dita e sotme e për dy javët e ardhshme, deri në një rishqyrtim të situatës janë:
Kudo përdorim i detyruar maskës, mësime në platforma elektronike për universitetet, punësim i detyruar i 50% të punonjësve në sektorin publik dhe privat (gjoba për punëdhënësin privat është 3000 euro, në rast të kundërt).
Në Atikë dhe zonat e kuqe të vendit, nga sot në njësitë shitëse lejohet 1 person në 10 m2, një pasagjer dhe shoferi në automjete, me 50% të pasagjerëve mjetet e transportit publik, mbyllen restorantet, kafenetë, muzetë, ambjentet kulturore, palestrat e mbyllura, teatrot, kinematë, këndet e lojrave për fëmijë.
Ritualet fetare do të kryhen me deri në 9 besimtarë në kishë. Distancë 1.5 m në çdo ambjent të brendshëm apo të jashtëm.
Zëdhënësi i qeverisë, Stelios Petsas ka deklaruar se thirrjet e mëparshme për respektim të distancës dhe përdorim të maskës nuk kanë qenë të mjaftueshme për të ndaluar përhapjen e virusit. Sistemi shëndetësor sipas tij ka shumë presion dhe masat janë të domosdoshme para rrëzimit total. Specialistët grekë deklarojnë se sipas të dhënave të deritanishme, masat kufizuese do të jenë të pranishme deri në muajin mars 2021.
/News31
Burimi:Opinion