NEWS 23 Nëntor 2024, 16:12

Vrasja e 14-vjeçarit/ “I detyrohemi fëmijëve tanë”, prindërit mblidhen te shkolla “Fan Noli”: Protestë të hënën në orën 17:00 (Kërkesat)

Vrasja e 14-vjeçarit/ “I detyrohemi fëmijëve

Prindër të shumtë janë mbledhur paraditen e sotme te shkolla “Fan Noli”, 6 ditë pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani nga një bashkëmoshatar i tij.

Ata kanë lexuar disa kërkesa drejtuar qeverisë, mes tyre dorëheqjen e ministres së Arsimit dhe kanë paralajmëruar protestë ditën e hënë në orën 17:00.

“I detyrohemi Martinit, i detyrohemi fëmijëve tanë”, tha Migen Qiraxhi nga Qëndresa Qytetare.

DEKLARATA E PLOTË
“Ditën e enjte, ne, prindër të cilët kemi fëmijët në shkollat e Tiranës, zhvilluam një marshim-protestë nga Shkolla “Fan Noli” drejt Ministrisë së Arsimit, pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani nga një bashkëmoshatar pranë ambienteve të shkollës. Të tronditur dhe të pikëlluar për vrasjen e Martinit dhe të frikësuar për sigurinë e fëmijëve tanë, ne artikuluam disa kërkesa për institucionet përgjegjëse për rastin në veçanti dhe arsimin në përgjithësi.
Fillimisht, siç do duhej të ndodhte në një shtet normal, kërkuam dorëheqjen e ministres së arsimit. Kjo dorëheqje, të paktën do të krijonte një precedent dhe një model të të mbajturit përgjegjësi. Gjë kjo që sigurisht nuk do të mjaftonte, ama do të hapte një shteg drejt zgjidhjes së kësaj drame të madhe. Kësaj ministreje, kësaj shkolle, ne i kishim besuar edukimin e më të shtrenjtëve tanë, kurse ata nuk arritën t’i mbronin as jetën. Dorëheqja kërkon integritet dhe dinjitet, por siç duket për Martinin dhe për të gjithë fëmijët tanë, kjo ministri ofron veç zgërdhirje dhe arrogancë. Zgërdhirje kur po mbahej një minutë heshtje në nder të Martinit dhe arrogancë kur u artikuluan kërkesat tona për një shkollë më të mirë sot, për të krijuar një shoqëri më të mirë nesër.
Ndaj, për këtë dhe për pikat e tjera që do të rendisim më poshtë, ne do të jemi në ditën e hënë përpara Ministrisë së Arsimit në orën 17:00 për të thënë se ne nuk e tolerojmë më këtë model dhe nuk do të presim që një ngjarje tjetër të ndodhë!
Në fakt, ajo që ka ndodhur përpara Fan Nolit nuk ishte një rrufe në qiell të hapur, por ishte një sinjal për secilin prej nesh që të reagohet sa nuk është vonë. Ndaj, kërkesat që ne kemi, prekin disa prej problemeve kryesore me të cilat përballen shkollat sot.
Kërkesat tona janë:
1. Shtim i buxhetit për arsimin në nivelin 5% të GDP-së. Plotësim me shkolla, infrastrukturë dhe staf mbështetës.
2. Rritje dhe plotësim i 100% të shkollave me psikologë, në raportin 1 psikolog për çdo 200 nxënës.
3. Qëndrim i nxënësve në hapësirat e shkollës deri në orën 16:00,duke ofruar ushqim dhe mundësi për të bërë detyrat.
4. Zbatim emergjent të rregullit për heqjen e telefonave në orarin e mësimit.
5. Miratimin e legjislacionit për vendosjen e filtrave parandalues të përmbajtjeve me gjuhë dhune ose urrejtje për fëmijët nën moshën 14 vjeç.
6. Çdo shkollë duhet të ketë oficer sigurie.
7. Krijimi i një sistemi të raportimit të rasteve ku të ndërlidhen të gjitha hallkat që nga mësuesit, komuniteti i prindërve dhe drejtoritë e shkollave në hapësirën digjitale.
8. Dorëheqja e menjëhershme e ministres së arsimit.
Të gjitha këto kërkesa nuk janë tekat tona, por janë domosdoshmëri nëse duam të krijojmë një shkollë të denjë për fëmijët tanë dhe një shkollim dinjitoz për të gjithë brezat që do të vijnë.
Ne, si prindër dhe si qytetarë të këtij vendi, zotohemi që nuk do të largohemi nga sheshi derisa këto kërkesa të plotësohen. Madje, nëse Ministria dhe qeveria vijon me tw njëjtën neglizhencë dhe arrogance do të konsiderojmë edhe bojkotin e mësimit si formë të reagimit tonë.
Ndaj, i bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve, prindërve, gjyshërve, studentëve, edhe gjimnazistëve, t’i bashkohen protestës ditën e hënë në orën 17:00, përpara Ministrisë së Arsimit. Ne duhet të jemi aty fillimisht për Martinin, për fëmijët tanë dhe për një të ardhme më të mirë! I detyrohemi fëmijëve tanë”, deklaroi Qiraxhi.