Nga sot Dua Lipa është Ambasadore Nderi e Republikës së Kosovës!
Do të jetë një vizitë që do ta mbajë mend gjatë kjo e fundit e Dua Lipës në vendin e saj, jo vetëm për super performancën nē "Sunny Hill" por edhe sepse nga sot artistja e famshme do të jetë Ambasadore Nderi e Republikës së Kosovës.
Lajmin e ka bërë të ditur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka ndarë në rrjetin social Facebook disa foto nga momenti i rëndësishëm, teksa e ka pritur Duan në Presidencë bashkë me bashkëshortin dhe dy vajzat binjake.
Sipas kryetares së shtetit, nuk ka njeri që nuk e njeh Kosovën për shkak të Duas, teksa edhe këtë vit e ka bërë Prishtinën kryeqendër të kulturës botërore, nëpërmjet festivalit Sunny Hill.
Fjala e plotë e Osmanit:
Sot, Dua Lipës, i ndava titullin Ambasadore Nderi e Republikës së Kosovës, sepse ajo vazhdon ta nderojë vendin tonë në çdo hap e çdo paraqitje. E falenderova, në emër të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës për gjithçka që ka bërë dhe po bënë që zëri ynë të dëgjohet kudo në botë.
Dua dhe Anda kishin kënaqësinë e veçantë ta takojnë super yllin tonë, ikonën e pop muzikës, e cila është shndërruar në inspirim e model për vajzat anekënd botës. Ajo po e shfrytëzon zërin dhe talentin e saj të jashtëzakonshëm, jo vetëm për t’i ofruar botës këngë që lënë gjurmë, por edhe për ta prezantuar imazhin më të mirë të Kosovës kudo në botë. Sot, për shkak të Duas, nuk ka njeri që nuk e njeh Kosovën, të cilën edhe kësaj radhe e ka bërë kryeqendër të kulturës botërore, nëpërmjet festivalit Sunny Hill.
Prandaj sot në Presidencë, së bashku me Prindonin dhe vajzat tona, kishim kënaqësinë që ta presim Duan së bashku me prindërit e saj, Dukagjinin dhe Anesën, për t’i falënderuar për këtë kontribut të madh për imazhin e Kosovës në botë si dhe për ta përsëritur mesazhin tonë të përbashkët për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës, i cili njëherit është edhe moto e edicionit të sivjetëm të festivalit Sunny Hill.
Faleminderit Dua e mirëserdhe në shtëpi!
Ndërkohë Dua ka marrë edhe një tjetër "dhuratë", kësaj here nga posta e Kosovës, e cila ditën e nesërme do të promovojë Pullën Postare me emrin e saj. Lajmi është bërë i ditur nga shefi i Administratës dhe Protokollit, njëkohësisht kryesuesi i komisionit për aprovimin e pullave postare, Kamber Demaku. Pra do të kemi edhe një pullē poste me emrin e Duas, një nderim ky që bëhet për figurat më të rëndëdishme të një shteti.
/News31