Në një intervistë si asnjëherë më parë, tenori Kastriot Tusha zbulon detaje nga karriera dhe jeta personale
Këtë të diel Xheraldina Vula riktheu në ekran një emër shumë të vyer të artit shqiptar, të madhin Kastriot Tusha. Pas një mungese shumë të gjatë në televizionet shqiptare, tenori i njohur na zbuloi sot histori mjaft interesante nga jeta e tij private.
Të gjithë tanimë e njohim shpirtin patriotik të artistit, i cili edhe sot në “N’majë t’gjuhës” e vendosi theksin te ndjeshmëria që ka për Kosovën dhe Shqipërinë, e muzikën tradicionale. Tenori madje u shpreh se nuk preferon të bëjë ndarje të tilla, por i cilëson të gjitha trevat ku ka shqiptarë si Shqiptari.
“Kemi qenë aq afër, aq edhe larg prej sistemeve. Unë jam shumë i lidhur me Kosovën, me shqiptarët e Maqedonisë, Malit të Zi. Shpeshherë në Shqipëri me thonë ‘je bërë si kosovar’. Madje njerëzit shpesh harrojnë që jam solist dhe me thonë Kastrioti i himnit për shkak të përfshirjes time”
Ndërkohë përballë mikes së tij Xherit, Tusha u kthye pas në kohë duke ndarë momente nga fëmijëria e tij. I pyetur se si ishin pushimet tradicionale kur ka qenë ende fëmijë, artisti me nostalgji u shpreh:
“Mundësitë në atë periudhe kanë qenë të pakta për të lëvizur. Por me ato vështirësi, me atë varfëri, kishte një harmoni familjare. Atë pushimin 15 ditor ne zakonisht e bënim në plazhin e Golemit ku babai kishte ndërtuar edhe një çadër. Sot na mungojnë këto lloj marrëdhëniesh sociale.”
Ndërsa ushqimi i preferuar prej fëmijërisë, ashtu siç mund të pritej është specialiteti i Elbasanit, tava e kosit.
Krahas muzikës, Kastioti zbuloi se pasioni i tij është peshkimi, pasion ky që kishte nisur që në fëmijëri. Tenori tregoi se ka një shtëpi në Qerret që e përdor kur shkon të peshkojë.
Aktualisht Kastriot Tusha tregoi se është duke u përgatitur për aktivitetet që do të mbahen për rreth 1 muaj e gjysmë, në kuadër të 6 vjetorit të krijimit të Universitetit të Arteve.
View this post on Instagram