Historia e fitueses së "The Voice Italy", nga murgeshë vendos të bëhet kamariere në Spanjë

Cristina Scuccia, dikur Motra Cristina Scuccia, një murgeshë që u bë shumë e njohur pasi fitoi “The Voice of Italy”, ka surprizuar sërish publikun italian e jo vetëm, teksa rrëfeu se e ka ndryshuar tërësisht jetën e saj dhe tani punon si kamariere në Spanjë.
Në vitin 2014, kur ishte ende murgeshë, vajza nga Siçilia mahniti anëtarët e jurisë së talent show-t të njohur, ku performoi hitin e Alicia Keys, “No One”. Në atë kohë Cristina jetonte në një manastir në Milano dhe me talentin e historinë e saj jo të zakonshme fitoi "The Voice", ndërsa publikoi më vonë edhe një album që shkoi deri në duart e Papa Françeskut.
Ndërkohë së fundmi, gati 8 vite nga koha kur u bë e famshme, e ftuar në "Verissimo" ajo tregoi ndryshimin që kishte pësuar jeta e saj. Në program Cristina u shfaq me taka të larta dhe një kostum të kuq e me pirsing në hundë dhe ndër të tjera tha “Duhet të dëgjoni zemrën tuaj me guxim. Ndryshimi është një shenjë e evolucionit.”
Vendimin për të mos qenë më murgeshë, ajo e kishte marrë duke u konsultuar me psikologun, ndërsa rrëfeu se largimi nga manastiri nuk e kishte bërë të hiqte dorë nga besimi. Tani Cristina jeton e lumtur në Spanjë, ku punon si kamariere.
/News31