GOSS-BIZ 14 Nëntor 2024, 17:10

“Heroi i heshtur i asaj ngjarjeje”, Elsa Lila rrëfen përjetimet pas hekurave të burgut

“Heroi i heshtur i asaj ngjarjeje”, Elsa Lila rrëfen

“Mirë se erdhe në Rebibbia” është vetëm libri i parë, tërësisht personal, në çdo përjetim, në çdo çast të atij fati dymujor që e ndoqi artisten shqiptare Elsa Lila. Pikërisht në këtë libër, Elsa flet për gjithçka; jetën brenda burgut, momentet kur u arrestua, përjetimet që kaloi për dy muaj pas hekurave, takimi me vajzën dhe shumë histori të tjera të grave në qeli që janë personazhe të librit: “Janë të gjitha në libër…”, – tregoi ajo për “Ftesë në 5”, pasditen e kësaj të mërkure, që përkon edhe me hapjen e panairit të librit – aty ku do të gjendet çdo pasdite për të dhënë autografe.

Gjithçka në “Mirë se erdhe në Rebibbia” është reale; të gjitha personazhet, shoqet e dhomës, vajza shqiptare dhe italiane që iu gjendën dhe e ndihmuan për ta kaluar edhe këtë ngjarje të trishtë me forcë. çfarë përjetoi në një vend ku vuan më shumë nëse je i pafajshëm, Elsa e rrëfen në dhe mes rreshtave, po po ashtu rrëfen edhe aspekte të tjera të burgurt që njerëzit jashtë nuk mundet kurrsesi t’i mendojnë. Dhe as nuk kanë se t’i dinë.

Ama jashtë, jeta për familjarët nuk ishte fushë me lule. Edhe ata, në mos sa ajo, më shumë sesa ajo, të përballur dhe të përbaltur me sulmet prapa tastierës, nuk e patën të lehtë presionin nga komentet. E sidomos Evita, vajza e këngëtares:

“Evita ishte forca më e madhe për t’ia dalë aty brenda dhe për të dalë sa më shpejt që aty. Sepse, besoj se është një shok psikologjik kaq i madh, sa do një arsye shumë të madhe për ta kaluar. Po të mos ishte Evita, C, një nga fëmijët më të fortë të planetit, që unë kam njohur personalisht… Sepse kam njohur shumë fëmijë dhe jo sepse është e imja, por ia kam thënë që “jam krenare, sepse je më e fortë se unë” – tregon Elsa pa e fshehur dridhjen e zërit nga emocionet dhe kujtimet e asaj periudhe të trishtë, të cilën e ka të përmbledhur të gjithë në një libër, që, siç e theksoi artistja, “është vetëm i pari, nuk është i vetmi”.