Forbes dhe TMZ shkruajnë se Elton Ilirjani bëri diferencën në Javën e modës në New York dhe ka arsye për këtë
Javët e modës vazhdojnë të kenë vëmendjen e duhur në tabloidët në të gjithë botën. Sigurisht që ato më të njohurat do t’i jepnin hapësirë të veçantë eventit më të rëndësishëm që u zhvillua në New York.
Më shumë se 300 krijues nga 50 vende të botës prezantuan koleksionet e tyre “Pranverë-Verë 2025” dhe “Forbes” ka të drejtë kur shkruan se NYFW i kishte të gjitha ngjyrat dhe ndjesitë këtë vit.
“Forbes” dhe “TMZ” kanë nënvijëzuar mes morisë së prezantimeve pikërisht stilistët dhe modelët që bënë diferencën.
Padiskutim që edhe në këtë prezantim krijuesish ku ndërthurej moda me inovacionin, do të bënte diferencën supermodeli Elton Ilirjani.
Stilisti Malan Breton, i lindur në Taivan, kishte zgjedhur tematikat e tradhëtisë dhe shpresës për koleksionin e tij, frymëzuar nga përraklat e shekujve 19-të dhe 20-të.
Breton ka veshur njerëz të famshëm si Priyanka Chopra, Janelle Monae, Vivica A Fox dhe shumë të tjerë. Elton Ilirjani mbylli show-n me një veshje të verdhë që tërhoqi vëmendjen e të gjithëve, kuruar me shumë stil në make up dhe flokë dhe më çizme të gjata gri metalike.
TMZ e cilesoi si modelin që bënte diferencën. Ndryshe nga të tjerët atij i ishte përshtatur në trup dhe imazh një kimono dhe këpucë stileto sexy. Por i gjithë arti në veshjen e tij mori më shumë kuptim pasi pozoi për Naoko Tosa, artistja japoneze e njohur për fotografimin e natyrshëm pa ndërhyrjen dixhitale.
Kjo shpjegon edhe faktin pse Elton Ilirjani është i përzgjedhuri i shumë stilistëve. Ekspresiviteti dhe të bërit diferencë nga shumë modelë të tjerë që kalojnë në pasarelë, e ka bërë të tërheqë vëmendjen e të gjithëve edhe pa e kërkuar me ngulm atë. /News31