Eurostat publikon statistikat: Të rinjtë shqiptarë, më të privuarit në Europë!


Teksa ikja e të rinjve është kthyer në një problem shqetësues për vendin tonë, të dhënat e Eurostat hedhin dritë mbi një nga arsyet që i nxit ata të largohen nga vendi, që lidhet me pamundësinë për të përballuar pagesa të ndryshme si qiraja, pushimet, blerja e një makine, shpenzimi i kohës së lirë etj.
Eurostat ka publikuar raportin për privimin material të të rinjve në Europë për vitin 2021, ndërsa për Shqipërinë, të dhënat janë të disponueshme deri në vitin 2020.
Sipas statistikave të Eurostat, në Bashkimin Europian në vitin 2021, shkalla e privimit të rëndë material dhe social midis të rinjve (mosha 15-29 vjeç) ishte 6,1%.
Për Shqipërinë, ky tregues është shumë më i lartë, në 34%, duke shënuar rekord negativ në Europë.
E dhëna e fundit është e vitit 2020, por edhe në vitet e mëparshme treguesi është më i larti në Europë, pavarësisht se përqindja e të privuarve nga ana materiale dhe sociale ka rënë (në vitin 2018 ishte 40%).
Në krahasim me rajonin, përqindjen më të ulët të privimit material dhe social e ka Serbia, me 10.4% në 2020-n dhe 11.6% në 2021-n. Për Maqedoninë e Veriut, treguesi është 14.9% (2020) ndërsa rritet në Mal të Zi në 22.3 (2020).
Sipas Eurostat, ndër vendet e BE-së, përqindja më e lartë e të rinjve që ishin të privuar rëndë materialisht dhe socialisht në vitin 2021 u regjistrua në Rumani (23.1%), e ndjekur nga Bullgaria (18.7%) dhe Greqia (14.2%).